HomeLajmeEkspertët e arsimit: Nataliteti në rënie dhe emigrimi po zbrazin shkollat në...

Ekspertët e arsimit: Nataliteti në rënie dhe emigrimi po zbrazin shkollat në Kosovë

Të ngjajshme

Rukiqi: Mijëra qytetarë po mbesin pa mundësi ta ndjekin Kampionatin Botëror

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Berat Rukiqi,...

Ukraina intensifikon sulmet, shënjestron objektet energjetike në Rusi

Një sulm me dronë ukrainas ka shkaktuar vdekjen e...

Nesër i jepet lamtumira e fundit të riut nga Malisheva që vdiq në Itali

Nesër do të bëhet varrimi i të riut Miridon...

Janë numëruar mbi 14% e votave me postë, këto janë rezultatet e deritanishme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar përditësimin më...

Njohës të arsimit kanë vlerësuar se rënia e numrit të nxënësve dhe studentëve në Kosovë është pasojë e drejtpërdrejtë e trendit demografik, duke kërkuar përshtatje të politikave arsimore dhe fokus në rritjen e cilësisë në arsim.

Ish-zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se rënia e numrit të nxënësve është rezultat i zvogëlimit të natalitetit dhe emigrimit.

“Po, unë mendoj se ky është një trend i pandalshëm demografik. Nëse krahasohen rezultatet e regjistrimit të vitit 2011 edhe 2024, numri i nxënësve në këtë periudhë ka rënë diku prej 28.5%. Po flas vetëm për arsimin parauniversitar. Dhe kjo është pasojë e zvogëlimit të natalitetit dhe e emigrimit jashtë vendit, më pak emigrimi, më shumë është zvogëlimi i natalitetit. E njëjta gjë reflektohet edhe në studimet universitare, përveç faktit që aty në një masë edhe ka humbur interesimi për studime, sidomos kjo vërehet te djemtë, kur shihen statistikat, sepse diku vetëm rreth 65% e djemve që përfundojnë maturën vazhdojnë studimet universitare”, tha ai.

Ai tha se kjo situatë duhet të shfrytëzohet për përmirësimin e cilësisë në arsim dhe racionalizimin e rrjetit të shkollave dhe programeve universitare.

“Pra, thjesht mendoj që masat që duhet ndërmerren në këtë rast është shfrytëzimi i situatës për ta përmirësuar cilësinë, se ka nevojë shumë të përmirësohet cilësia, si në arsimin parauniversitar, ashtu edhe në arsimin e lartë. Po ashtu, një masë tjetër që duhet të ndërmerret është racionalizimi i rrjetit të shkollave. Me të vërtetë ka mbetur një numër prej pothuajse 200-250 shkolla që janë shumë të vogla për të funksionuar si të pavarura, dhe ato faktikisht duke qenë ashtu të vogla edhe dëmtojnë cilësinë e mësimit, sepse numri i nxënësve në klasë është nën të gjitha standardet. Pra, ato shkolla thjesht duhet të integrohen me shkolla të afërta dhe nxënësit të transportohen, kuptohet në llogari të shtetit gjithnjë, në mënyrë që të kenë një arsimim sa më cilësor. Në arsimin e lartë, posaçërisht në atë publik, duhet menduar për racionalizimin e programeve. Ne për momentin kemi pesë fakultete juridike dhe pesë ekonomike vetëm në sektorin publik, dhe me të vërtetë nuk besoj se ka nevojë të mbahet një numër i tillë i programeve kur dihet që numri i studentëve po zvogëlohet në vazhdimësi”, tha ai.

Pupovci tha se ulja e natalitetit dhe plakja e popullsisë do të ndikojnë edhe në tregun e punës dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

“Shihni, këtë gjë vendet e tjera e kanë përjetuar më herët se ne. Ne po e përjetojmë tash. Ende kemi një, le të themi kështu, shtim pozitiv të popullsisë dhe ajo çka mund të ndodhë edhe çka veç po vërehet është, natyrisht, mungesa e fuqisë punëtore, plakja e popullsisë, ku shkaktohen pastaj probleme sepse numri më i madh i pensionistëve varet nga një numër më i vogël i atyre që punojnë, dhe kjo shkakton anomali në shoqëri. Në perspektivë, me një shkallë më të lartë të zhvillimit ekonomik, mund të lindin nevoja edhe për hapjen e kufijve për imigracion, që faktikisht krijon një situatë krejtësisht të re që shumë vende evropiane tanimë edhe e kanë provuar dhe ne sapo shohim, jemi në fillimet e saj. Pra, edhe te ne po ndodh, por jo në atë masën si ndodh në vendet evropiane”, tha ai.

Ai tha se masat mbështetëse për lehonat nuk pritet të ndikojnë dukshëm në rritjen e natalitetit.

“T’ju them të drejtën, vërehen disa masa sa i përket mbështetjes së grave lehona, në radhë të parë, mirëpo unë nuk mendoj se për shkak të asaj mbështetje do të shtohet nataliteti, për faktin se kjo shkon paralel me emancipimin. Dhe vetë emancipimi i gruas dhe jeta në një gjendje ekonomike çfarë e kemi ne në Kosovë, faktikisht ndikon në atë që lindshmëria të jetë e kufizuar. Mos të jetë, për shembull, si në le të them Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku janë tre, katër fëmijë e kështu me radhë, sepse shoqëria është e pasur, apo jo, dhe nga ana tjetër është edhe e emancipuar. Te ne, kur lidhen këto dy elemente, unë nuk pres që do të ketë ndonjë rritje të lindshmërisë. Por ajo çka duhet ndërmerret, siç e thashë edhe më përpara, është shfrytëzimi i rastit për ta përmirësuar cilësinë. Me vite ne jemi ankuar që kemi numër të madh të nxënësve në klasë, tash nuk kemi. Numri i nxënësve në klasë faktikisht po bie në standardet evropiane, dhe faktikisht kjo është mirë tani të shfrytëzohet që të përmirësohet cilësia. Pastaj, me të tjerat duhet të pajtohemi, popullsia herë shkon në rritje, herë shkon në zvogëlim”, tha ai.

Ndërsa drejtori ekzekutiv i Institutit “EdGuard”, Rinor Qehaja, tha se institucionet nuk kanë reaguar në kohë për t’iu përshtatur këtij trendi demografik.

“Rënia e numrit të nxënësve, padyshim që ka karakter demografik. I projektuar ka moti nga Agjencioni i Statistikave në të gjitha kuadrantet. Pra, nuk është në befasi rënia e numrit të nxënësve, po padyshim ngelet në befasi mosreagimi institucional për përshtatje të politikave dhe investimeve kapitale karshi këtij trendi demografik. Rënia e numrit të nxënësve padyshim që është në korrelacion të drejtpërdrejtë atje edhe me rënien e atij kapitalit njerëzor si fuqi punëtore që është determinuese për zhvillim ekonomik. Kjo është kryesorja, po përtej kësaj, impakti në sistemin arsimor është i lidhur drejtpërdrejt me numrin e mësimdhënësve atje, po përtej numrit të mësimdhënësve me hapësirat shkollore, me numrin e universiteteve. Pra, e ka një implikim goxha signifikant në të gjithë vendin, po që mundet me marrë trajtë shumë më të mirë, po sikur edhe reagimi institucional të jetë më i mirë. Pra, me kapitalizu në efiçiencë maksimale në profile të duhura që në të vërtetë i nevojiten tregut dhe në orientim të duhur të këtij numri të paktë të studentëve që me gjeneru ekonomi dhe me e kthy në përfitim socio-ekonomik për vendin”, tha ai, për EO.

Ai tha se nevojiten politika që nxisin natalitetin dhe përshtatin investimet arsimore me trendin e rënies së numrit të nxënësve.

“E para padyshim, na nevojiten politika makro që nxisin për natalitet, që rritin trendin demografik të numrit të nxënësve. Kjo është qenësorja. Po përtej kësaj, në nivel të politikave arsimore, detyrimisht na nevojitet me i përshtat investimet kapitale po edhe investimet në burimet njerëzore karshi trendit në ulje të numrit të nxënësve. Edhe këtu e rikujtoj po ashtu që nuk ka sens komunat me çelë konkurse për mësimdhënës, kur numri i nxënësve është në disproporcion me mësimdhënësit. Pra kjo është e para për me ilustru impaktin e këtij trendi në ulje të të nxënësve. Dhe më rëndë dhe përtej kësaj, s’ka sens me çelë shkolla të reja, e investime në ndërtim të objekteve të reja kur prapë e ki numrin në ulje të nxënësve. Pra kjo është ajo përshtatshmëria dhe domosdoshmëria që politikat arsimore të përshtaten karshi trendeve demografike të numrit të nxënësve, pasi që edhe ky numër i sotshëm i nxënësve në këtë ulje, është i projektuar dekada më herët nga Agjencioni i Statistikave, pra nuk mundet askush me thënë që është në befasi, pasi që është statistikisht e dëshmuar moti”, tha ai.

Qehaja tha se ulja e numrit të nxënësve do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Tash, ndikimi i drejtpërdrejtë i kësaj padyshim është në zhvillim ekonomik të vendit. Pra, numri i tillë në ulje i fuqisë punëtore, por jo vetëm në formë të natalitetit, po edhe rritja e moshës mesatare të fuqisë punëtore, kjo padyshim e ka atë impaktin e drejtpërdrejtë edhe  në ekonomi. Pra shkon përtej një numrit të vogël të nxënësve që janë në shkolla, ndikimi është goxha signifikant në ekonomi dhe në zhvillim ekonomik të vendit. Prandaj edhe domosdoshmëria dhe rëndësia e intervenimeve që nxisin këtë shpërporcion demografik në vendin tonë”, tha ai.

Sipas statistikave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe Ministria e Arsimit, në vitin shkollor 2025/2026 është shënuar rënie e numrit të nxënësve në arsimin fillor, të mesëm dhe në arsimin e lartë, ndërsa është regjistruar rritje e lehtë e numrit të fëmijëve në çerdhe dhe parashkollor.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz