Drejtori i Postës dhe Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa është sulmuar sot fizikisht nga dy policë në lagjen e njohur si “Te Qafa” në Prishtinë.
Sulmuesit e Agron Mustafës janë identifikuar të jenë dy policët, Nazim Sahiti dhe Avni Berisha, të cilët nga pamjet e siguruara nga Insajderi shihen teksa sulmojnë drejtorin e VALA-s.
Sipas Policisë së Kosovës, në këtë ngjarje kanë qenë të përfshirë katër persona, teksa dy prej tyre janë arrestuar.
Pamje nga sulmi i dy zyrtarëve policor ndaj drejtorit të VALA-s
Drejtori i PTK-së sot gjatë ditës ka thënë se asnjëherë nuk i kishte njohur më parë dy zyrtarët policorë që e sulmuan. Ai ka deklaruar se nuk e di arsyen e sulmit.
Por, në polici deklarata krejtësisht të kundërta nga Mustafa kishin dhënë dy zyrtarët policor, raporton Gazeta Insajderi.
Polici i përfshirë në sulmin ndaj Mustafës, Avni Berisha ka thënë për Gazetën Express se në momentin e sulmit ka tentuar ta arrestojë Agron Mustafën dhe ka kërkuar ndihmë edhe nga njësitë tjera të Policisë së Kosovës, por i njëjti ka ikur nga vendi i ngjarjes.
Mirëpo, pamjet e siguruara nga Insajderi dëshmojnë të kundërtën. Dëshmojnë se dy zyrtarët policor e sulmuan Mustafën.
Një version tjetër kishte dhënë edhe drejtori i Antikrimit në Policinë e Kosovës, Nazim Sahiti, i cili ishte në mesin e dy policëve që sulmuan drejtorin e VALA-s.
“Ka qenë një mosmarrëveshje e një kolegut tim që kam qenë me to me Agron Mustafën. Unë isha duke e pritur në veturë. Kam dëgjuar do fjalë mes tyre. Kur kam dalë i kam pa duke u shtyrë njëri me tjetrin. I kam nda dhe kjo ka qenë e gjitha. Çka thotë Agroni nuk është e vërtetë”, ka thënë Sahiti.
Sahiti po ashtu kishte mohuar se ka pasur rrahje me drejtorin e PTK-së.
“S’kam parë grushtim. Kur kam dalë, e kam tërhequr kolegun tim. Kur kam dalë e kam pas një shok të Agronit mbi shpinën e kolegut tim”, ka thënë Sahiti.
Ndërkaq lidhur me sulmin e dy policëve ndaj Mustafës, Inspektoriati Policor i Kosovës ka filluar hetimet ndaj policëve të përfshirë. /Insajderi.com