EKSKLUZIVE: LDK ka këto kushte për të hyrë në koalicion me VV, pas zgjedhjes së Glauk Konjufcës në krye të Kuvendit

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk po tërhiqet nga kërkesat e saja që i kishte vënë që në fillim si kusht për të lidhur një marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje (VV), shkruan GazetaBlic.
Pas zgjedhjes nga VV që Glauk Konjufca të jetë kryetar i Kuvendit të Kosovës, LDK për të lidhur koalicion me VV-në kusht ka rikthimin e postit të kryeparlamenatit për vete, po ashtu edhe gjetja e formulës për postin e Presidentit.
Kështu bënë të ditur një burim brenda LDK-së për GazetaBlic, i cili tha se në mbledhjen e kryesisë dhe të grupit parlamentar të hënën këto tema do të jenë qëndrimi i LDK-së.
Siç mëson GazetaBlic edhe për Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), LDK-ja nuk ka ndryshuar qëndrim dhe e dëshiron për vete.
“LDK nuk tërhiqet, ajo kusht për hyrje në koalicion me Vetëvendosjen e ka rikthimin e kryetarit të Kuvendit për vete, gjetjen e modalitetit për postin e Presidentit dhe ministritë të ndahen 5 me 5. Ky pritet të jetë edhe qëndrimi i LDK-së edhe në mbledhjen e kryesisë dhe të grupit parlamentar të paralajmëruar për të hënën”, thotë për GazetaBlic ky burim nga LDK.

Lexo edheAbazi flet për kushtet e reja të LDK-së, shprehet optimist se koalicioni do të ndodhë
Ndërkohë GazetaBlic ditë më parë ka raportuar që VV po mendon që t’ia bëjë një ofertë të re LDK-së që në vend të postit të kryetarit të Kuvendit, t’ia jap një ministri shtesë, pra ministritë të ndahen 6 me 4 deri në zgjedhjen e Presidentit. Por nga LDK-ja kanë thënë se nuk do ta pranojnë një ofertë të tillë.
Pas zgjedhjes së kryeparlamentarit nga ana e VV-së, LDK tha se ky post do duhej t’i takonte LDK-së pasi që edhe ashtu parashihet me Kushtetutën e vendit.
“Është obligim i fituesit të zgjedhjeve që të shmang vonesat dhe t’i eliminojë pengesat për formimin e institucioneve. Ne bëmë punën tonë, zhbllokuam procesin, përkundër që s’kishim marrëveshje e as njoftim se VV do të procedojë me Kryetarin e Kuvendit. Për hir të së vërtetës, LDK, jo që ka refuzuar por, ka vlerësuar se duhet ti takojë Kryeparlamentari me marrëveshje“, kishte shkruar lideri i LDK-së, Isa Mustafa në Facebook.
LDK për ditën e hënë ka planifikuar dy takime, duke filluar nga ora 09:00 të mëngjesit është mbledhja e Kryesisë, ndërsa në orën 13:00 është planifikuar të mbahet mbledhja e Grupit Parlamentar të LDK-së, e tërë kjo do të ndodhë 2 orë para takimit konsultativ ndërmjet liderit të VV-së Albin Kurti dhe Presidentit Hashim Thaçi, për nominimin e mandatarit për Kryeministër./GazetaBlic














