Ekskluzive: BE-ja e përkrah nismën e Kadri Veselit për krijimin e Tribunalit Ndërkombëtar
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka nisur iniciativën për formimin e Tribunalit ndërkombëtar për dënimin e krimeve serbe të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Të enjten, Kuvendi miratoi projektrezolutën për gjenocidin dhe krimet serbe të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë, shkruan lajmi.net.
Kjo nismë u duk se u zbeh pas publikimit të fotografisë nga deputetja e subjektit të Veselit, Flora Brovina, me të cilën ajo pretendonte se ishin tre ushtarë serbë që dhunonin një grua kosovare, mirëpo e njëjta më pas doli të mos jetë fotografi origjinale.
Sidoqoftë, Veseli duket se e ka edhe përkrahjen e BE-së për këtë iniciativë.
Në një përgjigje dhënë ekskluzivisht për lajmi.net nga Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini theksohet qartë se qëndrimi i BE-së është se duhet të ketë përgjegjësi nga të gjitha palët për krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Pozita e qartë e BE-së është se duhet të ketë përgjegjësi për të gjitha krimet e kryera gjatë konflikteve në ish-Jugosllavinë e viteve të 90-të, dhe se vetëm bashkëpunim kuptimplotë rajonal dhe fqinjësia e mirë janë vendimtare për të nxitur besimin dhe për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës”, thuhet në përgjigjen e Kocijançiq për lajmi.net.
Nga Bashkimi Evropian tutje theksojnë se ngjarjet e viteve të 90-të kanë lënë shumë viktima, familjet e të cilave janë në kërkim të drejtësisë dhe ato familje presin hapa konkret në këtë aspekt.
“Ngjarjet e viteve të 90-të kanë lënë shumë viktima dhe familjet e tyre në kërkim të drejtësisë dhe njohjes së vuajtjeve të tyre. Të gjitha komunitetet duhet të shohin hapa konkret dhe të vërtetë”, thekson tutje Kocijançiq.

Lexo edheMasakra në burgun e Dubravës, vije e përmbledhur në një libër
Sipas kësaj të fundit, liderët politik në rajon duhet të kontribuojnë për stabilitet dhe një klimë të favorshme për adresimin e çështjeve të hapura dhe çështjeve nga e kaluara.
Kocijançiq tutje thekson se kjo përfshin edhe shmangien dhe dënimin e çfarëdo deklarate apo veprimi që do të nxiste tensione ndëretnike.
“Udhëheqësit politik në rajon duhet të kontribuojnë në stabilitet, pajtim dhe një klimë të favorshme për adresimin e çështjeve të hapura bilateral dhe trashëgiminë e së kaluarës. Kjo po ashtu përfshin shmangien dhe dënimin e çfarëdo deklarate apo veprimi që do të nxiste tensionet ndëretnike”, ka theksuar në fund Kocijançiq.
E pas ‘turbulencave’ të fundit të shkaktuara nga publikimi i fotografisë nga deputetja Brovina, Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë seancën të hënën, ku edhe pritet votimi i Komisionit Shtetëror për Trbunalin Ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë.
Ndërkohë, ka qenë edhe vetë kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ai i cili kishte shprehur besimin e tij të plotë se iniciativa e tij është e përkrahur edhe nga ndërkombëtarët. /Lajmi.net/














