E ardhmja e Edon Zhegrovës pritet të jetë një nga temat më të diskutuara në afatin kalimtar të verës që po vjen.
Ylli i Kombëtares së Kosovës ka bërë të qartë se dëshiron të qëndrojë te Juventusi, duke synuar të provojë veten në Torino.
Sulmuesi i krahut, pavarësisht një sezoni jo në nivelin e pritshmërive personale, mbetet i vendosur të luftojë për më shumë minuta në fushë.
Sipas “Calciomercato.com”, Zhegrova u ka kërkuar përfaqësuesve të tij që të pezullojnë çdo diskutim për transferim deri në përfundim të sezonit aktual.
Ky qëndrim interpretohet si një shenjë e qartë e ambicies së tij për të fituar më shumë hapësira dhe për të bindur stafin teknik për rolin e tij në skuadër. Megjithatë, situata mbetet e hapur nga ana e klubit.
Drejtuesit e Juventusit nuk e përjashtojnë mundësinë e shitjes nëse mbërrin një ofertë e kënaqshme, me vlerën e kartonit të lojtarit që vlerësohet rreth 11-12 milionë euro. Objektivi i klubit mbetet ruajtja e ekuilibrit financiar dhe shmangia e humbjeve të mundshme.
Në javët në vijim pritet të ketë zhvillime të reja, por mesazhi i Zhegrovës mbetet i qartë: ai synon të qëndrojë te Juventusi dhe të luftojë për një vend të rëndësishëm në skuadër.