Gjykata Supreme ka refuzuar kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësve të të akuzuarve Iran Badalli dhe Arben Gashi, duke vërtetuar kështu aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren, me të cilin dy të akuzuarit ishin dënuar me dënim unik me nga 12 vjet burgim (secili veç e veç) lidhur me akuzën për shpërthimin në Zhur, ku si pasojë kishte vdekur polici S.Th.
Në këtë rast, Gashi dhe Badalli ngarkoheshin se kanë vendosur mjet eksplodues në shtëpinë e të akuzuarit Badalli në fshatin Zhur, me rastin e bastisjes nga Policia, mjeti kishte shpërthyer ndërsa kishte mbetur i vdekur polici, S.Th, kurse të dëmtuarit Artur Mrasori, Jetmir Hasanaj dhe Arsim Bytyqi, si dhe fëmija S.B., kanë pësuar lëndime të rënda trupore, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas vendimit të Supremes, të përpiluar më 4 mars 2025, kolegji i gjyqtarëve të cilët kanë dhënë këtë vendim ka këtë përbërje prej: Agim Maliqi- kryetar i kolegjit, si dhe Mejreme Memaj dhe Afrim Shala- anëtarë.
Ndryshe, më 19 shtator 2023, të akuzuarit Badalli dhe Gashi u gjykuan me dënim unik secili me nga 12 vjet burgim në Gjykatën Themelore në Prizren, dënim të cilin më pas e vërtetoi Gjykata e Apelit.
Kundër këtyre aktgjykimeve kanë paraqitur kerkesë për mbrojtje të ligjshmërisë mbrojtësit e të akuzuarit Badalli, avokatët Emira Gavazaj dhe Valdrin Gashi, me propozim që aktgjykimet e ankimuara të ndryshohen apo të anulohen dhe çështja të kthehet ne rigjykim në gjykatën e shkallës së parë.
Një kërkesë të tillë kanë paraqitur edhe mbrojtësit e të akuzuarit Gashi, avokatët Hazer Susuri dhe Elinda Susuri-Humolli, duke propozuar që aktgjykimet e kundërshtuara të ndryshohen në favor të të mbrojturit të tyre, ose të anulohen dhe lënda të kthehet në rigjykim.
Ndërsa Prokurori i Shtetit me parashtresën me shkrim, ka propozuar që kërkesat të refuzohen si të pabazuara.
Vlerësimi i Gjykatës Supreme:
Sipas Supremes, mbrojtësit e të akuzuarve i kundërshtojnë aktgjykimet e dy instancave më të ulëta, për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, por nuk japin arsye se në çka konsistojnë këto shkelje.
Aty theksohet se i akuzuar ka qenë edhe Valbon Çollaku për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”, mirëpo ka arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë, dhe më pas është inkuadruar si dëshmitar bashkëpunues.
Gjykata Supreme gjeti se bazuar në provat e administruara- si dëshmia e dëshmitarëve Valbon Çollaku dhe Rami Badalli, del qartë se të akuzuarit sipas marrëveshjes paraprake e kishin blerë eksplozivin nga dëshmitari Çollaku, të cilin së bashku e kishin marrë nga ky dëshmitarë, e pagësen për eksploziv e kishte bërë i akuzuari Gashi.
Sipas Supremes, nuk rezulton kontestues fakti se në ditën e ngjarjes para momentit kritik, zyrtarët policorë i janë përgjigjur thirrjes së vajzës së të akuzuarit Badalli, se të akuzuarit ishin bashkë para momentit kritik derisa i akuzuari Badalli ishte ftuar nga Policia që të jetë prezent gjatë bastisjes së shtëpisë dhe se kishte shkuar në shtëpi pas shpërthimit të eksplozivit, kurse i akuzuari Gashi ishte larguar dhe kishte shkuar në Shqipëri.
Sipas Supremes, i vetmi përfundim logjik është se të akuzuarit përpos që sipas marrëveshjes paraprake e kishin blerë eksplozivin nga Qollaku, edhe e vendosin në një dhomë në katin e dytë të shtëpisë së të akuzuarit Badalli.
Lidhur me atë se në vendin e ngjarjes janë gjetur fije floku që i përkasin gjinisë femërore dhe jo të akuzuarve dhe se nga ekspertiza daktiloskopike nuk janë gjet gjurmët papilare të të akuzuarve në mjetin shpërthyes, sipas Supremes, gjykatat e instancave më të ulëta kanë dhënë arsye të qarta dhe logjike për këto pretendime.
Ndryshe, Gjykata e Apelit kishte vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren, me të cilin Iran Badalli dhe Arben Gashi ishin dënuar me dënim unik me nga 12 vjet burgim (secili veç e veç) lidhur me akuzën për shpërthimin në Zhur, ku si pasojë kishte vdekur polici S.Th.
Sipas aktakuzës, dy të pandehurit Iran Badalli dhe Arben Gashi, në fillim të muajit janar 2020, në Prizren janë furnizuar me mjet eksplodues nga i akuzuari Valbon Çollaku, e pastaj të njëjtin e kanë fshehur në krevatin e fëmijëve ne dhomën e katit të dytë të shtëpisë të të akuzuarit Iran Badalli në fshatin Zhur, Komuna e Prizrenit dhe pas një kontrolli të autorizuar të kësaj shtëpie nga Njësiti për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, më 28 janar 2020, rreth orës 20:00, në kontakt me këtë mjet, i njëjti ka eksploduar, ku ka vdekur zyrtari policor S.Th, kurse policët tjerë të Njësitit gjegjës – të dëmtuarit Artur Mrasori, Jetmir Hasanaj dhe Arsim Byrtyqi si dhe fëmija S.B., kanë pësuar lëndime të rënda trupore.
Me këto veprime, sipas Prokurorisë, të akuzuarit kanë kryer në bashkëkryerje veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356, paragrafi 5, 4 dhe 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërsa, në dispozitivin II të aktakuzës, thuhet se në vend dhe kohë të njëjtë të përshkruar përafërsisht si në pikën I të dispozitivit të aktakuzës, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët, përveç eksplozivit të lartcekur të shpërthyer, kanë pasur të fshehur edhe eksplozivin e mbetur TNT me peshë prej 809.1 gr dhe një detonator mekanik, në të cilin ishte i vendosur një fitil ngadalndezës në gjatësi 63 cm.
Me këtë, të akuzuarit në bashkëkryerje akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.