Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rikujtuar sot se janë edhe 9 ditë deri në përfundimin e afatit për aplikim online për certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre për Zgjedhjet Lokale 2025.
Kjo periudhë e aplikimit, e cila ka nisur më 26 qershor, do të mbyllet më 13 gusht 2025, ndërsa zgjedhjet do të mbahen më 12 tetor 2025. Gjatë kësaj faze, subjektet politike duhet të dorëzojnë edhe listat e kandidatëve për Kryetarë të Komunave dhe për anëtarë të Kuvendeve Komunale.
Për të lehtësuar procesin, KQZ ka vënë në dispozicion platformën elektronike: https://apliko.kqz-ks.org, përmes së cilës subjektet politike mund të bëjnë aplikimin e tyre online, pa pasur nevojë për paraqitje fizike në zyrat e Komisionit.
KQZ u bën thirrje të gjitha partive dhe iniciativave politike që synojnë të marrin pjesë në zgjedhje, që të përfitojnë nga kjo mundësi dhe të dorëzojnë aplikimin e tyre brenda afatit të përcaktuar ligjor.
Si bëhet aplikimi?
Hapi i parë: Përfaqësuesi i autorizuar i subjektit politik (iniciativës qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të plotësojë online të dhënat që kërkohen në platformën: https://apliko.kqz-ks.org. Partive politike të regjistruara dhe koalicioneve, u janë krijuar dhe dërguar ‘userët’ dhe prej tyre nuk kërkohet të ndjekin këtë hap.
Hapi i dytë: Pas aplikimit, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) do të shqyrtojë dhe do të miratojë ose jo aplikimin fillestar. Pas vërtetimit të aplikimit, ZRCKFSP, do t’i përcjellë përmes e-mailit përfaqësuesit të autorizuar kredencialet për t’u qasur në platformën online dhe për të paraqitur aplikimin.
Informacione shtesë: Për më shumë informacione, dokumentacionin dhe kushtet që kërkohen të plotësohen për aplikim, mund të kontatoni Zyrën përmes e-mailit [email protected] apo përmes telefonit +383 38 200 81 010, i qasshëm nga ora 08:00 deri në orën 16:00./Lajmi.net/