Kurti mburret me investimet në Polici, por kadetët detyrohen të huazojnë kapelat për diplomim
Kryeministri Albin Kurti është lavdëruar me “mbështetjen” që Qeveria e tij i ka dhënë Policisë së Kosovës, duke thënë se ajo ka qenë shumë më e lartë sesa me qeveritë e mëhershme.
Kurti këtë deklaratë e bëri para gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës që po diplomon sot e për të cilën së fundmi u raportua se kapelat për ditën e ceremonisë janë kërkuar nga policët aktualë që t’i dorëzojnë për t’ua dhënë kadetëve të rinj sa për ditën e sotme.
“Mbështetjen për Policinë e Kosovës e kemi dëshmuar vazhdimisht, shumë më lart dhe pakrahasueshëm me periudhat e mëparme, me buxhet të alokuar dhe jo vetëm. Pesë vitet e fundit, përveçse është shtuar buxheti për Policinë e Kosovës, për mbi 50%, i kemi 20 stacione, objekte dhe baza policore që janë ngritur dhe forcuar në gjithë veriun e vendit tonë. Policia e vendit është pajisur me armë të gjata, të cilat më herët mungonin dhe automjete, autoblinda të reja me vlerë gati 8 milionë euro. Siguria në veri të Ibrit dhe angazhimi i policisë ka bërë të mundur gjetjen e tri varrezave masive prej luftës së fundit në Zubin Potok dhe Zveçan”.
Kurti tha se “arritjet janë të shumta”, por se me ato “nuk duhet dhe nuk bën të vetëmjaftohemi”.
“Ka ende shumë punë e objektiva”.

Lexo edhe118 vajza e gra diplomohen police, Haxhiu: Guximi dëshmohet edhe duke mbrojtur të dobëtin
Sipas një bisede private të publikuar nga një grup në Viber, zyrtarëve policorë u është kërkuar që kapelat e tyre t’ua huazojnë kadetëve, në mënyrë që këta të fundit t’i përdorin gjatë ceremonisë së diplomimit.
Sindikata e Policisë së Kosovës më pas kishte pranuar se kishin pobleme me uniforma, duke deklaruar se procesi i prokurimit kishte dështuar vazhdimisht që nga viti 2021.





