Ditën e nisjes së bombardimeve, ai nuk e ka ditur çka është lufta çlirimtare, dhe për çfarë arsye kishte nisur bombardimet Aleanca më e madhe ushtarake në botë.
Shumë vite më vonë ai mund të ketë mësuar diçka rreth luftës çlirimtare, okupatorit serb dhe NATO-s.
Megjithatë, këto fakte nuk e kanë penguar Agimin e lindur më 27 mars 1999 në Gjakovë që të aplikojë dhe të fitojë statusin e veteranit të UÇK-së.
Agim Shaban Dodaj, është një nga 12 veteranët e rrejshëm të lindur pas vitit 1990. Është në mesin e mbi 20 mijë veteranëve, emri i të cilit së bashku me të gjitha të dhënat personale gjendet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, të dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Shukriu, është lindur në kulmin e luftës në Kosovë. Ai është nja dy muaj më i ri sesa Agimi. Njohuri për luftën, UÇK-në e Serbinë, edhe ai mund të ketë marrë në kohën kur për to ka mësuar Agimi.
Edhe Shukriu, sikurse Agimi është veteranë luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ama i rrejshëm. Ai gjendet në listën e mashtruesve të Zonës Operative të Karadakut.
Shukri Sadri Zeneli, është lindur më 19 maj të vitit të afërm 1999 në Gjylekar të Vitisë.
Familja e Avniut, mund të ketë qenë një nga familjet e shumta të Kukësit që kanë hapur dyert për refugjatët kosovarë të luftës. Fiks një vit para eksodit të kosovarëve, në familjen Koleci është lindur Avdiu.
Sot, ai është veteran i luftës çlirimtare të Kosovës. Natyrisht, veteranë i rrejshëm. Avli Alush Koleci feston ditëlindjen më 11 mars 1998.
Më i vjetër në moshë sesa Avniu, Shukriu, e Agimi është Petrit Brahim Halilaj. Është i lindur më 26 qershor 1997 në fshatin Petkoviq, pak muaj para demonstratave studentore të 1 Tetorit të organizuara nga Unioni i Studentëve të Universitetit të Prishtinës.
As për të nuk ka qenë pengesë foshnjëria që të marrë statusin e veteranëve, për cka emri i tij është renditur në listën e veteranëve të rrejshëm.
Gjashtë muaj para Petritit, është lindur Eshref Selim Berisha në fshatin Ruhot të Pejës. Ai feston ditëlindjen më 28 janar 1997. Ka status të njëjtë me Petritin – status të veteranit luftëtar të UÇK-së.
Lexo edheEkskluzive | Lista e 35 mijë personave që paguhen nga shteti për luftën e UÇK-së (Dokument)














