Dy tifozë grushtojnë çekun në Prishtinë

Dy tifozë e kanë grushtuar një tifoz çek, i cili e kishte flamurin e vendit të tij të lidhur në shpinë, në Prishtinë, duke e lënë atë të shtrirë në tokë.
Videoja e këtij incidenti është publikuar në një faqe në Facebook, të quajtur “Plisat”. Mirëpo, pas disa minutave videoja u fshi, raporton Gazeta Express.
Në këtë video shihet se tifozi çek fillimisht ua zgjat dy tifozëve të tjerë dorën për t’u përshëndetur, para se këta dy të fundit ta sulmojnë atë.

Lexo edheFatmir Limaj: Këta djem dinë t’i sjellin Kosovës veç fitore
I gjithë incidenti ndodhi pas ndeshjes mes Kosovës dhe Çekisë në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku Dardanët siguruan fitore me rezultat 2:1.
Fitorja e sotshme e “Dardanëve” jo vetëm që e vazhdon ecurinë e ndeshjeve pa disfatë në 15 të tilla, por edhe ia jep Kosovës tri pikë të rëndësishme në ëndrrën për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian 2020. /Gazeta Express/














