Asamblisti i Kuvendit Komunal të Drenasit, Petrit Gashi, në profilin e tij ka treguar një ngjarje interesante që i ka ngjarë këto ditë, shkruan Drenica Press.
Asamblisti Gashi ka takuar një ish-ushtar të UÇK-së të cilit të dy djemtë i kanë marrë rrugën e migrimit.
“Në kuadër të takimeve të përditshme më qytetarët, dje e pata fatin të takohem më një ish-ushtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që brenda dy muajve të dy djemtë i kishin ikur në perëndim, madje njeri pa i bërë 17 vite”, ka shkruar Gashi.
Për më tepër lexojeni postmin e Petrit Gashit
KUR SHTETI YT TA RRËNON SHPRESËN
Të dashur miq,
Në kuadër të takimeve të përditshme më qytetarët, dje e pata fatin të takohem më një ish-ushtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që brenda dy muajve të dy djemtë i kishin ikur në perëndim, madje njeri pa i bërë 17 vite.
Po ndaj më ju rrëfimin e tij.
Bacit këtij shteti i ka dalë boja, perspektiven edhe shpresën na kanë vra dhe beso asnjërit nga djemve të mi nuk mujta me i thanë ndalu në Kosovë. Edhe unë kam qenë në Gyrbet! Në shtator të vitit 1991, 53 veta familjarë me kanë përcjellë gjithë tuj qajtë përveç babës (atëherë me qajt burri nuk bajke po zemra e tij e din çka ka hjek). Në vitin 1998 jam kthye në UÇK për lirinë e vendit. Tash pas 20 vite dy muaj me parë e përcolla djalin e madh për Slloveni mu dashtë edhe djalin e vogël hala pa i mbush 17 vjet me përcjell për Itali ( të shtunën ka shku).
Këtë të voglin krejt farefisi e kemi përcjell, beso nja 50 veta këna qenë në përcjellje dhe vetëm nëna e tij ka qajtë. Pra i ka ardhur puna mu gëzua kur e përcjell mashkullin për gyrbet. Këtë se kam pritë po çka s’po përjetojkë njeri. Tani edhe 3 vite dal në pension por jam zhgënjyer prej këtij shteti. 3 vajza i kam me fakultet vetëm njëra punon në një furrë buke në Prishtinë, të tjerat në shpi, turp po me vjen prej shokëve që i kam pas në luftë.
Ishalla bre bac veç nuk vdes pa e pa Kosovën qysh e kam ëndrruar, tjerat hjekitë harrohen. Veç po me vjen marre kur po i shoh bash qata që e kanë shkatrru ketë shtet kishe po ju hedhim lule mbi varre të dëshmoreve. Amanet kam je lanë farefisit që këta persona që janë ngrite mbi vlerën e gjakun tonë as lule sdu mem pru kur te vdes. Ata që ma kanë vra shpresën dhe po mi largojnë djemtë në pleqni spo du as për se vdekni mi pa afër meje.
Bacit, krejt farefisi ka qajtë kur unë jam dalë në gyrbet, krejt kanë ndi dhimbje e sot në liri krejt gëzohen nëse fëmijës së tij, djalit apo vajzës i vjen një vizë. Unë nuk kam shkollë të madhe veç një shtet pa rini është një shtet i vdekur.
( Personi në fjalë ka qënë ish-ushtar i UÇK-së dhe tani ka një moshe 62 vjeçare. Ka tri vajza të gjitha fakultetin e kryer dhe dy djem që tanimë kanë marr rrugën e botës)