Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, ka mbajtur një takim zyrtar me drejtorët rajonalë dhe komandantët e stacioneve policore, së bashku me stafin e lartë menaxhues të PK-së.
Sipas njoftimit, në këtë takim u analizua raporti gjashtëmujor i vitit 2025, ku u theksuan të arriturat dhe rezultatet, ndërsa fokusi kryesor ishte rritja e profesionalizmit, integritetit dhe disiplinës në punë.
Drejtori Hoxha kërkoi zbatim të përpiktë të procedurave ligjore dhe rregulloreve policore, duke vënë theks te: bashkëpunimi më i madh me komunitetin, përmirësimi i komunikimit me qytetarët, luftimi i krimit dhe korrupsionit, rritja e sigurisë në trafik dhe garantimi i rendit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim.
Ai theksoi se menaxhimi efikas i burimeve dhe mbikëqyrja e zyrtarëve nga eprorët janë kyçe për rezultate edhe më të mira në të ardhmen.
Të gjithë pjesëmarrësit u zotuan për angazhim të shtuar në përmbushjen e detyrave policore në shërbim të qytetarëve dhe vendit./Indeksonline/