Avokati Gent Gjini ka dorëzuar padi civile në Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke kërkuar që përmes procedurave gjyqësore të verifikohet përfshirja e Dritan Goxhajt në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Padia vjen pas debatit të nxitur nga publikimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili disa ditë më parë publikoi një dokument për të cilin pretendoi se ngre pikëpyetje mbi rolin e Goxhajt gjatë luftës në Kosovë, transmeton lajmi.net.
Pas dorëzimit të padisë, Gjini tha se dokumenti i publikuar nga Rama dhe deklaratat e tij kanë krijuar dilema në opinionin publik, të cilat, sipas tij, duhet të marrin përgjigje në gjykatë.
“Kam parë të arsyeshme që këto dilema të zgjidhen në rrugë ligjore. Vetë kryeministri i Republikës së Shqipërisë ka publikuar një dokument që ngre pikëpyetje nëse Dritan Goxhaj i ka shërbyer apo jo Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me ekspertizat përkatëse do të sqarohet kontributi i tij dhe figura e tij para dhe gjatë luftës”, deklaroi Gjini.
Ai tha se në vendimin e tij është bazuar edhe në reagimin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila kishte bërë të ditur se Goxhaj nuk ka aplikuar për statusin e veteranit dhe nuk figuron me kartelë veterani.
“Janë këto dilema që duhet të verifikohen përmes gjykatës. Duhet të konstatohet nëse Dritan Goxhaj ka qenë pjesë e UÇK-së, ku ka shërbyer dhe të verifikohet autenticiteti i dokumentit të publikuar nga kryeministri Rama”, tha ai.
Gjini shtoi se, sipas tij, procesi gjyqësor duhet të sqarojë edhe historikun e Goxhajt gjatë periudhës së luftës, duke përfshirë zonën ku pretendohet se ka vepruar dhe komandën nën të cilën ka shërbyer.
Avokati paralajmëroi se, nëse gjatë procesit gjyqësor vërtetohet se janë bërë deklarime të rreme lidhur me përfshirjen në UÇK, atëherë, sipas tij, duhet të pasojnë edhe përgjegjësi ligjore.
“Në rast se verifikohen dhe konstatohen gjëra të rreme, atëherë duhet të ketë pasoja ligjore për deklarime të rreme dhe Dritan Goxhaj duhet t’i kërkojë falje popullit të Kosovës, nëse rezulton se nuk i ka shërbyer Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, u shpreh Gjini./lajmi.net/