Dhjetëra pjesëtarë të ish-strukturave paralele marrin paga pa punuar fare
Ministria e Shëndetësisë ka shpenzuar 97 mijë e 733 euro për pagat e 22 punonjësve të ish-strukturave paralele serbe, pa punuar fare. Edhe pse janë punësuar me vendim të Qeverisë së Kosovës, me datën 22 korrik 2015, bazuar në Marrëveshjen e Brukselit për shuarjen e të ashtuquajturës “Mbrojtje Civile”, gjatë 2018-s ata nuk janë paraqitur asnjëherë në vendin e punës.
Këta persona janë futur në listat e pagave në Spitalin e Mitrovicës dhe deri në “integrimin” e tyre në institucionet legale ata dhe organizata e tyre kanë operuar lirshëm në veri të Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.
Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për Ministrinë e Shëndetësisë, të publikuar ditë më parë, ky lëshim ka ndodhur për shkak se mungon kontrolli menaxhues, i cili duhet të kujdeset që të gjithë nëpunësit publikë të jenë të pranishëm në vendin e punës gjatë orarit të punës. Pagesa e këtyre punonjësve, në mungesë të dëshmive të vijueshmërisë në punë, sipas këtij raporti, dëmton buxhetin e MSh-së dhe rrit rrezikun e pagesave të parregullta.
Për këtë çështje ministri i Shëndetësisë rekomandohet që të ndërmarrë të gjitha veprimet për të siguruar vijueshmërinë e rregullt në punë të këtyre punonjësve, duke bërë monitorimin e vazhdueshëm, siç parashihen me aktet ligjore.

Lexo edheVllado Zmajeviq dënohet me 14 vjet burgim për krime lufte në Kosovë
“Nëse problemi nuk mund të zgjidhet brenda Ministrisë, ministri rekomandohet që këtë çështje ta adresojë edhe në Qeveri”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Njësitë e Mbrojtjes Civile në veri të Kosovës kanë operuar jashtë kornizës ligjore të Kosovës deri në fillimin e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit.














