Dhëndëri i presidentit Trump ishte takuar me ambasadorin rus
Ambasadori i Rusisë në Shtetet e Bashkuara, Sergei Kislyak, ishte takuar me një numër të ndihmësve të presidentit amerikan, Donald Trump, gjatë fushatës zgjedhore vitin e kaluar.
Pos me prokurorin e përgjithshëm, Jeff Sessions, me ambasadorin Kislyak ishte takuar edhe dhëndëri i Trumpit, Jared Kushner, ka thënë mbrëmë Shtëpia e Bardhë dhe kanë raportuar mediat amerikane.
Kontaktet e fushatës Trump me Rusinë janë nën hetime nga agjencia FBI dhe komitetet e ndryshme të Kongresit të Shteteve të Bashkuara.

Lexo edheGjermani: Në një gjimnaz ndalohet namazi
Jared Kushner ishte takuar në muajin dhjetor të vitit të kaluar me zotin Kislyak, në ndërtesën Trump Tower në Nju Jork, që ishte seli e fushatës së zotit Trump, në “një takim të shkurtër të mirësjelljes”, siç ka vlerësuar Shtëpia e Bardhë, ku ishte i pranishëm edhe Michael Flynn, që më vonë ishte emëruar këshilltar për siguri kombëtare i Trumpit.
Muajin e kaluar, zoti Flynn u detyrua të paraqiste dorëheqje pasi e kishte keqinformuar zëvendëspresidentin, Mike Pence, lidhur me bisedat e tij me telefon me ambasadorin Kislyak. /Rel














