Deputetja e PDK, Blerta Deliu -Kodra ka treguar arsyen e mungesës së saj si dëshmitare në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin kundër deputetëve të opozitës.
Ajo ka treguar për Indeksonline se nuk është paraqitur në Gjykatë për shkaqe shëndetësore.
“ Do të jem prezentë seancën tjetër për të dhënë deklaratën time lidhur me gazin lotsjellës. Do të jem e gatshme kurdoherë t’u përgjigjem institucioneve tona në secilën kërkesë”, është shprehur deputetja Deliu-Kodra për Indeksonline.
Ndërkohë, përveç mungesës së deputetes Deliu-Kodra, në seancë nuk janë paraqitur sot as deputetët e VV-së , Albin Kurti dhe Donika Kadaj-Bujupi, të cilët akuzohen për hedhje të gazit lotsjellës në sallën e Kuvendit të Kosovës. Të akuzuar për këtë çështje janë edhe dy deputetët tjerë të VV-së, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli.
Si pasoj e mungesës së tyre, Gjykata Themelore në Prishtinë mori vendim për shtyrjen e seancës ndaj katër deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, vitin e kaluar.