Demolli dhe Balogh flasin për bashkëpunim në fushën e sigurisë

Ministri i FSK-së, Haki Demolli, priti një delegacion nga Ministria e Punëve të Jashtme të Hungarisë të udhëhequr nga Istvan Balogh, drejtor i Departamentit për Politika të Sigurisë.
Demolli me delegacionin hungarez bisedoi lidhur me bashkëpunimin e dy shteteve në fushën e sigurisë dhe perspektiven e integrimeve euro-atlantike.
Me këtë rast, ministri Haki Demolli falënderoi Istvan Baloghin dhe ambasadorin Markusz për mbështetjen dhe përkrahjen që Hungaria dhe Ministria e Mbrojtjes ka ofruar për FSK-në, duke potencuar në veçanti marrëveshjen e mirëkuptimit ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë në fushën e sigurisë.
Demolli shprehu interesimin për të rritur bashkëpunimin në mes dy shteteve dhe dy ministrive në fushat me interes të dyanshëm, si dhe e vlerësoi si shumë të rëndësishëm angazhimin dhe rolin e Hungarisë në mbështetje të Ministrisë së FSK-së dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku theksoi se disa nga aktivitetet e bashkëpunimit do të përfshihen në planin dypalësh të vitit 2017.
Lexo edheTrump zbulon gënjeshtrën më të madhe të thënë për të!
Ndërkaq, Balogh falënderoi ministrin Demolli për pritjen dhe vlerësoi lart bashkëpunimin e ndërsjellë, duke u shprehur mjaft i kënaqur për bashkëpunimin dhe thellimin e tij edhe në fusha të tjera të sigurisë.
Ai po ashtu shprehu gatishmërinë për përkrahje edhe në të ardhmen në fushat e cekura në Memorandumin e Bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive, duke premtuar njëherësh edhe mbështetje në procesin e integrimit. /Telegrafi/














