Analisti Agron Demi përmes një postimi në Facebook ka komentuar mbi deklaratat e disa figurave politike të cilët kundërshtuan deputeten e VV-së, Fitore Pacolli, e cila foli për gjendjen e shëndetësisë në vend dhe shërimin e politikanëve dhe familjarëve të tyre jashtë vendit me para nga buxheti i Kosovës.
Ai përmes një postim në Facebook ka përmendur disa emra të politikës në vend të cilët nga buxheti i shtetit kanë marrë para për t’u shëruar jashtë vendit, por edhe të atillë të cilët kanë refuzuar të shërohen me para të Qeverisë.
Demi e ka quajtur të padurueshme histerinë e politikanëve të PAN-it dhe LDK-së, për të cilët thotë se janë fajtorë për gjendjen në shëndetësi.
“S’po durohet asesi histeria e politikanëve të PAN-it dhe LDK-së, fajtorët kryesorë për gjendjen në shëndetësi, ndaj një deklarate të deputetes Pacolli e cila e ilustroi gjendjen në shëndetësinë e Kosovës duke marrë si shembull se si as kryeministrat nuk i besojnë sistemit të shëndetësisë të cilin vetë e kanë pru në këtë gjendje”, ka thënë ai.
Ai ka listuar liderin e LDK-së, Isa Mustafa, Bujar Bukoshin, Xhavit Halitin e Bajrush Xhemajlin të cilët janë trajtuar jashtë vendit me para nga buxheti i Kosovës.
“Isa Mustafa ishte kryeministër. Por për shërim nuk iu drejtua spitaleve të Kosovës, ani pse për gjendjen e keqe të tyre ai është bashkëfajtorë. Qeveria në mars 2018 ka ndarë 39.700 euro për shërimin e tij. Qeveria ndau 30 mijë euro për shërimin e Bujar Bukoshit. Ani pse Bukoshi e Isa Mustafa kurrë nuk kanë dhënë llogari për 50 milionë eurot e mbetura nga Fondi 3%. Kuvendi i kishte ndarë 18.000 euro Xhavit Halitit për një intervenim jashtë vendit, ani pse Haliti kishte deklaruar 110 mijë euro para të gatshme dhe pasuri të paluajtshme mbi një milion euro. Kur Bajrush Xhemajli kishte shkaktuar aksident komunikacioni, ai ishte transportuar me urgjencë për shërim jashtë vendit, kurse viktima e tij ishte lënë të vdiste në spitalet e Kosovës”, ka shkruar tutje ai.
Demi tutje ka përmendur ish-ushtarin i UÇK-së dhe ish-deputetin, Naim Malokun, për të cilin thotë se i kishte refuzuar paratë e Qeverisë për t’u shëruar jashtë vendit. “Ani pse Naimi është më së paku fajtorë për gjendjen në shëndetësinë e Kosovës”, ka thënë ai.
Demi ndër të tjera ka përmendur edhe disa figura të njohura në botë të cilët kishin refuzuar paratë e shtetit për shërim.
“Djali i kandidatit demokrat për president të ShBA, Joseph R. “Beau” Biden III ishte, prokuror, ushtarak dhe politikan. Kur u sëmurë prej kancerit, babai i tij Joe Biden planifikonte të shiste shtëpinë që ti mbulonte shpenzimet e kurimit. Presidenti Obama ofroi t’i huazonte para për shërim. Askujt nuk i kishte shkuar as nëpërmend që shpenzimet e spitalit t’i mbulonin nga buxheti i ShBA. Një ndër regjisorët më të mirë në botë Krzysztof Kieslowski kishte refuzuar të operohej jashtë vendit, edhe pse ishte paralajmëruar se spitalet polake nuk mund të kryenin operacionin që kërkohej. Edhe pse nuk ishte fajtorë për gjendjen në shëndetësi, ai u operua në vendin e tij”, ka shkruar ai.