Sulmuesi i Paris Saint-Germain, Ousmane Dembélé, ka folur hapur për kohën e tij te Barcelona, duke thënë se ndihet i lumtur me periudhën që kaloi te “Blaugrana”. 28-vjeçari qëndroi gjashtë vite në “Camp Nou”, përpara se të rikthehej në Francë në vitin 2023.
Dembélé u transferua te Barcelona pas largimit të Neymar Junior drejt PSG-së, me një kosto prej 148 milionë eurosh për katalanasit. Shumëkush mendoi se klubi kishte paguar tepër për 20-vjeçarin që vinte pas vetëm një sezoni te Borussia Dortmund. Vetëm disa javë pas mbërritjes, ai u dëmtua rëndë dhe qëndroi katër muaj jashtë fushës.
“Ishte e ndërlikuar, sidomos sepse po vija në klub pas vetëm 18 muajsh si profesionist, me gjashtë muaj te Rennes dhe një vit te Dortmund. Arrin 20 vjeç në një dhomë zhveshjeje si ajo e Barcelonës me yje, me lojtarë me të cilët kisha ëndërruar të luaja… ishte thjesht diçka e jashtëzakonshme,” tha ai për FourFourTwo.
“Më pas, duhej të përshtateshe. Nuk isha me fat për tre-katër vite me dëmtimet. Kur luaje, duhej të adaptoheshe. Kur nuk luaje, duhej të qëndroje i fortë. Por unë po bëja atë që doja dhe isha te klubi i ëndrrave të mia, Barcelona. Nuk ishte e lehtë, por pas tre-katër vitesh gjërat u përmirësuan shumë.”
Pavarësisht problemeve të vazhdueshme me lëndimet, Dembélé shpjegoi se ishte i kënaqur me kohën e kaluar në Barcelonë. Në sezonin e tij të fundit, trajneri Xavi Hernandez i dha besim të plotë dhe ai e shpërbleu me një rol kyç në titullin e La Ligës në vitin 2023.
“Jam i lumtur me gjithçka që ndodhi në Barcelonë, sepse aty u rrita si person, si në fushë, ashtu edhe jashtë saj. Gjithashtu fitova shumë miq në Barcelonë, me të cilët flas ende shpesh. Për mua ishte një periudhë e jashtëzakonshme dhe mbi të gjitha, një kohë e mësimit.”
Pas shumë dëmtimeve, në vitin 2022 Dembélé arriti të gjejë vazhdimësi dhe u bë pjesë e rëndësishme e Barcelonës. Ai shpjegoi se çfarë ndryshoi për ta kaluar këtë fazë të vështirë.
“Pas një dëmtimi, dy, tre, katër dëmtimeve, e kupton se duhet të kujdesesh për trupin, se futbolli në nivel të lartë është shumë kërkues dhe nuk ka të bëjë vetëm me talentin, ose me zgjimin dhe daljen direkt në fushë. Kupton se gjithçka mund të ndodhë. E kuptova që duhej të punoja, duhej të forcohesha, duhej të ushqehesha mirë, të flija mirë. I kuptova të gjitha këto. Dhe ja ku jam sot, duke korrur frytet te Paris Saint-Germain. Jam i lumtur.”
Ironikisht, pikërisht ditën kur u publikua intervista, Dembélé u dëmtua sërish dhe do të mungojë rreth gjashtë javë për shkak të një lëndimi muskulor. Kjo do ta privojë nga mundësia për t’u rikthyer në “Camp Nou” me PSG-në, në përballjen e 1 tetorit.
Dembélé mbetet ende një figurë diskutimi mes tifozëve të Barcelonës. Ndërsa ishte padyshim viktimë e rrethanave dhe dëmtimeve, ai gjithashtu u largua për më pak se një të tretën e çmimit fillestar, pikërisht në momentin kur gjërat dukeshin se po shkonin drejt së mirës për të në Kataloni./GazetaExpress/