Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka reaguar pas publikimit të raportit zyrtar të Policisë së Kosovës për aksidentin tragjik të 14 qershorit në Autostradën Autostrada Dr. Ibrahim Rugova, ku humbi jetën një qytetare.
Përmes një reagimi publik, Basha ka shprehur ngushëllime për familjen e viktimës, duke theksuar se raporti i autoriteteve ka sqaruar rrethanat e aksidentit dhe ka hedhur poshtë pretendimet se gjendja e rrugës ka ndikuar në ngjarjen fatale.
“Sot, raporti zyrtar i Policisë së Kosovës tregon se, bazuar në hetimet profesionale, drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin mbi veturën, duke goditur fillimisht sinjalizimin rrugor dhe më pas elementet mbrojtëse anësore”, ka deklaruar ai.
Sipas Bashës, raporti konstaton se të dy shiritat e qarkullimit kanë qenë të lirë dhe se infrastruktura rrugore nuk ka pasur ndikim në shkaktimin e aksidentit.
“Raporti konstaton se të dy shiritat e qarkullimit kanë qenë të lirë për lëvizje dhe se gjendja e rrugës nuk ka ndikuar në shkaktimin e aksidentit. Këto janë gjetje zyrtare të organeve kompetente”, ka theksuar ministri në detyrë.
Ai ka reaguar edhe ndaj deklaratave dhe akuzave që pasuan aksidentin, duke thënë se tragjeditë njerëzore nuk duhet të shfrytëzohen për përplasje politike.
“Le të jetë ky mësim për të gjithë se tragjeditë e tilla nuk duhet të përdoren për propagandë politike”, ka deklaruar Basha.
Në fund të reagimit të tij, ai ka përsëritur ngushëllimet për familjen e viktimës, duke shprehur solidaritet me të afërmit e saj në këto momente të vështira. /Lajmi.net/