Kryeministri Avdullah Hoti, para takimit në Washington ka ftuar në takim partitë politike për bashkërendimin e qëndrimeve.
Gazeta Blic ka kontaktuar me zëdhënësin e PDK-së, Avni Bytyqi për ta pyetur më gjerësisht nëse PDK-ja, do të marrin pjesë në takim e thirrur nga zoti Hoti.
Bytyqi ka theksuar se deri me tani nuk kanë ndonjë ftesë zyrtare në zyrë dhe sapo ta kenë do të përgjigjen në lidhje me këtë çështje.
“Deri më tani nuk kemi pranuar në zyrë ndonjë ftesë zyrtare nga Kryeministri, si ta kemi japim një përgjigje” tha Bytyqi për Gazeta Blic.
Partia e parë që i është përgjigjur negativisht ftesës së Hotit është Lëvizja Vetëvendosje.
Ata kanë deklaruar se nuk do të jenë pjesë e një tryeze të tillë.
Nënkryetarja e VV-së, Arbërie Nagavci, ka thënë për GazetaBlic se kryeministri është dashur që para kësaj ftese të raportoj në Kuvendin e Kosovës për të prezantuar platformën për dialogun.
“Kryeministri i kësaj qeverie jolegjitime e ka obligim në radhë të parë që të raportoj dhe të prezantoj platformën në Kuvendin e Kosovës, para se tu drejtohet të tjerëve, gjë që nuk e ka bërë dhe nuk ka paraqitë kërkesë deri tani. Për më shumë, duke pa gjithë vrullin e tij për të hequr reciprocitetin, për të deklaruar se pranojmë edhe tërheqjen nga aplikimi në organizata ndërkomëbëtare, tregon se ata nuk kanë aspak në radhë të parë interesin e Kosovës të cilës po ia humbin edhe sovranitetin dhe po e cënojnë shtetësinë. Sigurisht që ne nuk mund të bëhemi pjesë e tryezave të tilla, të cilat kanë për qëllim vetëm legjitimimin e planeve të projektuara nga presidenti Thaçi”, tha ajo.