Daut Haradinaj: U bë pazar i ulët me Ligjin për Specialen, nuk kemi protestuar për presidentin

Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe të Zyrës së Prokurorit Special në Hagë, ka kaluar në dy leximet e nevojshme në Kuvend.
Kalimi erdhi pasi PDK-ja dhe LVV-ja u pajtuan për emrin e postit të Presidentit, kur u propozua Justina Shiroka-Pula.
E Daut Haradinaj, anëtar i Kryesisë së Aleancës, në Rubikon të Klan Kosova thotë se ky negocim për ndryshimin e Ligjit për Specialen, nuk është dashur të bëhej, pasi sipas tij, kishte të bënte me çështje kombëtare.
“Shteti ynë asnjë veprim nuk e ka bërë, përpos atyre marrëveshjeve të errëta që i kam quajt unë dy javë para se me ardhë deri te data kritike e 6 tetorit, në një farë forme e nxorën një lajm, dalja nga kriza institucionale, zgjedhja e presidentes”.
“Qëllimi i errët, dhe produkti i errët, sepse ne nuk kemi kërkuar negocim në rrugë. Protesta jonë nuk ka qenë negocim me qeverinë për rishikimin e Ligjit për Specialen”.
“Me gjithë respektin për zotëri Hamzën, veprimet nuk kanë qenë ato që i kanë deklaruar. E ndalën protestën për shkak të një lajthitjeje skandaloze që ndodhi nëpërmjet ligjeve”, deklaroi Haradinaj.

Lexo edhe14 policë të lënduar dhe 35 të shoqëruar pas protestës së dhunshme në Tiranë
Ai tha se orientimi i protestës nuk ka pasur qëllim zgjedhjen e Presidentes.
“Ne nuk kemi dalë për president, por kundër dënimit të krerëve të UÇK-së. Unë nuk jam PDK, kam qenë qytetar i pakënaqur me atë vendim. S’kemi dalë me përkrahë kauzën e një subjekti politik. U bë pazar i ulët. Është keqpërdorim i fatkeqësisë së njerëzve”, tha Haradinaj në Klan Kosova.
“Ai projektligj ka qenë për Dhomat e Specializuara në Hagë. Aty nuk ka pasur të drejtë askush të negociojë. Përgjegjësi e zotëri Kurtit, edhe e Abdixhikut, edhe e Gjinit, edhe e Hamzës, ka qenë në aspektin kombëtar, jo me hy në negociata”, u shpreh ish-deputeti i Aleancës.














