Edi Rama sheh nga afër zyrën e djegur të Kolegjit të Evropës nga protestuesit: Këto s’janë nga duart e studentëve

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar sot pas protestës së dhunshme gjatë dy ditëve të kaluara në Tiranë.
Rama ka vizituar Kolegjin e Evropës që u dogj mbrëmë, gjersa tha se këto rrënoja nuk janë dhe nuk mund të jenë nga duart e studentëve.
“Deri dje kjo ishte zyra e Kolegjit të Evropës, shkollës të Evropës së bashkuar që e hapëm në Shqipëri së bashki me udhëheqësit evropianë. Sot kjo është rrënoja e duarve që nuk janë dhe nuk mund të jenë kurrë duart e studentëve.
Rama ka zgjedhur të reagojë këtë mëngjes nga zyrat e Kolegjit të Europës, te Piramida, si një simbol, sipas tij, të rrugës që Shqipëria ka zgjedhur drejt BE-së.
Por, nga ana tjetër, Rama ka thënë se aktet nuk i përkasin studentëve, por opozitës, e cila, sipas tij, kërkon ta lërë Shqipërinë pas.
“Sot kjo është rrënoja e duarve që nuk janë dhe nuk mund të jenë kurrë duart e studentëve. Studentët janë e ardhmja, ata që shohin larg dhe që duan të shkojnë më larg dhe më shpejt. Janë gjithnjë të mirëpritur dhe ne jemi gati të ulemi, të flasim, të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhje. Këto janë duar të tjera, duart që përpiqen ta ulin Shqipërinë sa herë ajo ngrihet. Këto janë duart e një opozite, e cila, me maska të verbërisë përpara, me zjarr dhe hekur, kërkon ta rikthejë Shqipërinë aty ku nuk kthehet kurrë, nga aty ku të gjithë ne së bashku e nxorëm dhe prej ku po e ngjisim drejt majës historike për të gjithë shqiptarët në breza, në BE.”, ka thënë Rama.

Lexo edheHaradinaj: Ku ka më rëndë se me të falënderu ministri i Jashtëm i Serbisë në Këshill të Sigurimit?
Rama i ka cilësuar si orë të vështira zhvillimet e fundit në kryeqendrën shqiptare.
“Qëlloi që kjo zyrë e Kolegjit të Europës të jetë sot simboli i gjithçkaje që Tirana dhe Shqipëria po shohin në këto orë të vështira. Janë orë të vështira që do t’i kalojmë të gjithë së bashku, sepse Shqipëria do të vazhdojë në rrugën e saj drejt Europës dhe nuk do të bjerë në ato duar. Kushdo që mendon se ligji është larg, gabon. Përgjegjësia përpara ligjit është e gjithsecilit. Kushdo që ka dorë do të paguajë, sepse Shqipëria nuk do të kthehet më kurrë pas. Edhe e kaluara që u rikthye në këto orë në qendër të Tiranës, si një fantazmë që bën përherë atë që duan ata që të na ulin, e ardhmja është e studentëve dhe e shqiptarëve.”, ka thënë ai.













