Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj duke komentuar mos lirimin e Ramush Haradinaj nga Franca, ka thënë se kjo është një lloj rrëshqitje e drejtësisë franceze në politikat e Serbisë.
“Është, si të themi një lloj rreshqitje e drejtësisë franceze në politikat e Serbisë, e cila kurrë nuk është ndalur dhe po vazhdon ta luftojë çdo kënd që “fajin” e vetëm që e kanë është se ia kanë hequr nga kthetrat e saj Kosovën, duke ia ndërprerë mundësinë që të vazhdojë ta sundojë egërsisht, ashtu siç ka bërë deri në vitet e luftës. Franca është njëra nga shtetet e cila e ka ndihmuar Kosovën dhe luftën e saj për t’u çliruar e për t’u ndërtuar e forcuar si shtet, prandaj ne konsiderojmë që edhe ky është një fakt që kërkesa e Serbisë për ekstradim do të duhej të hidhej poshtë nga Franca që ditën e parë të ndalimit të ish-Kryeministrit, Ramush Haradinaj”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka shtuar se insistimi i Serbisë për ekstradimin e Ramushit, ka të bëjë me fushatën e brendshme politike në Serbi.
“Serbia e ka vetëm për fushatë të brendshme, sepse është po aq e vetëdijshme sa edhe të gjithë të tjerët se nuk ka çfarë bën me Ramushin në Serbi, por është si të thuash “shërim mendor” i saj se po arrinë ta pengojë për disa ditë Ramushin në kryerjen e detyrave që janë pengesë për Serbinë që ajo të mos mund t’i arrijë qëllimet e këqija që i ka përballë Kosovës”, ka theksuar deputeti Haradinaj.
Ai në një intervistë për “Bota Sot” ka folur edhe për sugjerimet e drejtuara ndaj Ramushit, ku ai ishte këshilluar që të ketë më shumë kujdes gjatë lëvizjeve nëpër vende të ndryshme.
“I kujdesshëm në çfarë, që të mos ketë të drejtë të lëvizë sikur secili qytetar i Evropës e i Botës demokratike. Është shumë e palogjikshme t’i thuash dikujt që edhe pse i plotëson kushtet administrative e ligjore, nuk bënë të lëvizësh, sepse armiku yt kështu po dëshiron. Kosova dhe Serbia i kanë ndarë rrugët në vitin 1999 dhe Serbia nuk e ka më asnjë juridiksion mbi qytetarët e Kosovës dhe bazuar në ketë z.Haradinaj nuk e ka asnjë pengesë ligjore, kjo çka ndodhur në Francë është politikë e Serbisë për të mbajtur në tension Kosovën e rajonin”, thotë Daut Haradinaj.
Ndërsa i pyetur rreth asaj se pse Ramushi në Slloveni ishte lëshuar brenda dy ditësh, ndërsa në Francë nuk po ndodh e njëjta, ai ka theksuar se kjo është krejtësisht politike.
“Rasti me Slloveninë ka qenë një precendent i mjaftueshëm dhe është i tillë për të gjithë e edhe për Francën që Ramushi nuk do të duhej të ndalohet për arsye se Serbia po e dëshiron këtë. Ramushi dhe Serbia janë përballur në Gjykatën e Hagës, edhe atë dy herë, në të dyja rastet ka triumfuar e vërteta, pafajësia. Ka qenë një proces gati dhjetë vite i gjatë, janë shoshitur të gjitha dhe në asnjë rast nuk është faktuar asnjë veprim që bien ndesh më ligjet. Kjo çka sot po ndodh po e përsërisë është krejt politike, asgjë s’ka të bëjë me drejtësinë”, thotë deputeti i AAK-së.
Ai më tej ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mënyrën se si po i merr vendimet në raport me Serbinë, pasi sipas tij këto vendime duhej te merreshin me konsensus e jo kryeneçësi, duke shtuar se Ministria e Dialogut është e tepërt.
“Qeveria e Kosovës sot është me e madhe se e Gjermanisë apo e Rusisë, krejt kjo bëhet për të knaqur egot personale të disave brenda koalicionit qeverisës. Integrimi në BE, që është një prioritet strategjik afatgjatë, nuk mund të arrihet vetëm duke krijuar ministri të posaçme (siç është edhe kjo për dialog), por duke i përmbushur standardet në fushat, si rendi dhe ligji, ekonomia, mjedisi dhe tregtia. Ndryshe po të dëshironim të ishim me serioz, e që do të duhej të ishim, dialogun do të duhej ta bënin profesionistët me të mëdhenjë që ka Kosova, kjo për aspektin profesional, e në kuptimin politik, do të duhej të përfshiheshin i gjithë spektri politik, që përfaqëson qytetarët në Kuvendin e Kosovës. Të gjitha vendimet në raport me Serbinë, e dialogun me të, do të duhej të merreshin me konsensus e jo me kryeneçësi siç sot po ndodhë. Pra ministria për dialog është një ministri e cila është aty për t’i rritur shpenzimet buxhetore, ende më keq për t’i bërë disa marrëveshje të këqija siç ka ndodhur e po vazhdon të ndodhë”, ka thënë ndër tjerash Daut Haradinaj, në intervistën dhënë gazetës “Bota sot”, e të cilën të plotë mund ta lexoni në numrin e nesërm në Kosovë dhe Diasporë.