back to top
Friday, December 5, 2025
BallinaLajmeÇka do të ndodhë sot në Kosovë?

Çka do të ndodhë sot në Kosovë?

Të ngjajshme

Gazeta Express ju sjell ngjarjet më të rëndësishme të ditës

Pas një pushimi të zgjatur, për shkak të përvjetorit të pavarësisë së Kosovës, institucionet publike të vendit do të rinisin punën.Një mori ngjarjesh pritet të zhvillohen sot në Kosovë.

Në mëngjes, mësimdhënësit në institucionet arsimore të vendit do të mbajnë një grevë dyorëshe. Me këtë rast, në orën 8, kryetari i Sindikatës së Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës, do ta vizitojë Shkollën e Mesme Bujqësore, “Abdyl Frashëri”, në Prishtinë.

Në orën 10, Qeveria e Kosovës, nën udhëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj, do ta mbajë një mbledhje – të parën prej dy të tillave që do t’i zhvillojë gjatë ditës. Në këtë mbledhje, pritet të bëhet miratimi i kërkesës drejtuar Kuvendit të Republikës së Kosovës për tërheqje të Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Në të njëjtën kohë, në Kuvendin e Kosovës, Komisioni parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Medie do të shqyrtojë Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për themelimin e Shkollës Rajonale të Administratës Publike.

Në orën 10, në Prishtinë, Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) do të organizojë konferencën, me temën “Momenti i ri i zgjerimit në BE: Çfarë mund të përfitojë Kosova”.

Fondacioni i Ëestminster për Demokraci, në partneritet me Institutin e Kosovës për Drejtësi, do të organizojnë, në të njëjtën kohë, në Prishtinë, një tryezë diskutimi, me temën “Iniciativa për Dekriminalizimin e Politikës në Kosovë”.

Në orën 11, kryeministri Ramush Haradinaj do të vizitojë minatorët e Mitrovicës, me rastin e Ditës së Grevës së Minatorëve.

Në të njëjtën kohë, në Kuvendin e Kosovës, Komisioni parlamentar për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim do të mbajë një mbledhje. Pritet të inicohet formimi i Komisionit për nismën legjislative për plotësim dhe ndryshim të Ligjit për Festat Zyrtare.

Në orën 11, në Vushtrri, Aleanca Kosovare e Bizneseve dhe kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, do të nënshkruajnë Memorandum Bashkëpunimi, për realizimin e disa projekteve të përbashkëta ekonomike.

Drejtuesit e SBASHK’ut, në të njëjtën kohë, në Fakultetin Teknik në Prishtinë, pritet të takohen me kryetarin e Këshillit Grevist të Universiteteve, Bardh Bardhi, me rastin e grevës dyorëshe në institucionet arsimore.

Në mesditë, në Kuvendin e Kosovës, Komisioni parlamentar për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit do të mbajë një mbledhje. Në rend dite do të jetë shqyrtimi i propozim vendimit të Qeverisë me kandidatët për anëtarë të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës.

Në orën 13, Lëvizja Vetëvendosje do të organizojë, në Kuvendin e Kosovës, një tryezë diskutimi, me temën “Procesi i kompromentuar i dënimit të aktivistëve të Lëvizjes VV dhe Rezoluta nga debati parlamentar”. Do të marrë pjesë edhe kryetari i partisë, Albin Kurti.

Në të njëjtën kohë, në Kuvendin e Kosovës, Komisioni parlamentar për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike do të mbajë një mbledhje. Pritet të raportojë shefi i negociatave me Serbinë, Avni Arifi, lidhur me Platformën e Qeverisë së Kosovës për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Në orën 14, kryeministri Ramush Haradinaj do të marrë pjesë në një manifestim, në ndërtesën e Qeverisë, të organizuar nga Zyra e Kryeministrit/Zyra për Çështje të Komuniteteve, për nder të Ditës së Ashkalive.

Në të njëjtën kohë, Ministri i Financave, Bedri Hamza, do të presë në takim kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhaliu; kryetarin e Odës Amerikane në Kosovë, Arian Zeka; kryetarin e Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha; si dhe drejtorin Ekzekutiv të Këshillit të Investitorëve Evropianë, Shpend Balija.

Në orën 14, Zyra për Çështje të Komuniteteve, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, do të organizojë një konferencë ceremoniale për festimin e Ditës së Komunitetit Ashkali.

Kryeministri Ramush Haradinaj do të presë në takim kryetarin e SBASHK’ut, Rrahman Jasharaj në orën 15:00.

Në orën 16, Qeveria e Kosovës do të mbajë mbledhjen e dytë të ditës. Në rend të ditës do të jetë Plotësimi dhe ndryshimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit te Zi. /Express/

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz