Të premten që shkoi, familja katër anëtarësh e Jeton Sadikajt, mori rrugë për pushime nga Zvicra për në Kosovë. Por, këto pushime dolën të jenë të fundit, pasi Jetoni bashkë me gruan, nënën dhe dy fëmijët vdiqën të dielën, në orët e pasdites, në një aksident trafiku.
Familja Sadikaj në ditën kritike kishte qenë në veturë të cilën e kishte marrë me qira nga një kompani private e veturave. Drejtuesi i makinës, 32-vjeçari Jetoni, u përplas me një autobus. Por ende zyrtarisht nuk dihet se kush ka qenë shkaktari i aksidentit: autobusi apo vetura?
Lamtumira e fundit për pesë anëtarët e familjes Sadikaj nga Komuna e Suharekës do t’i jepet sot. Jetoni bashkë me gruan, nënën e dy fëmijët do të varroset sot në varrezat e fshatit Sopijë të Suharekës. Këta humbën jetën në një aksident trafiku të dielën në orët e pasdites në magjistralen Suharekë-Duhël.
Deri më tani rreth këtij aksidenti nga ana e organeve të hetuesisë është bërë e ditur se si shkak ka qenë shpejtësia. Por, nga hetimet nuk është bërë e ditur nëse automjeti ka qenë jashtë rregullave të shpejtësisë normale.
Drejtues të policisë rajonale në Prizren, kanë deklaruar të martën për Express se po i vazhdojnë hetimet rreth kësaj çështjeje.
Vesel Gashi nga zyra për media në Policinë e Kosovës për rajonin e Prizrenit ka thënë se ende është herët për të dalë me rezultate përfundimtare nga ana e zyrtarëve të policisë. Gashi nuk ka dhënë detaje nëse vetura e viktimave ka qenë jashtë normales të caktuar të shpejtësisë.
“Hetimet janë duke vazhduar. Procedurat janë kryer në vendin e ngjarjes. Tash presim që ta bëjmë kompletimin e rastit. I gjithë procesi është në mbikëqyrje të prokurorit të shtetit. Ne jemi në fazën e hetimeve. Duhet të ekzaminohen një numër i konsiderueshëm i provave dhe më pastaj të dalim me gjetjet”, thuhet në përgjigjen e policisë dhënë Expressit.
Ndërkohë nga kompania e autobusëve me të cilën është aksidentuar vetura, thonë për Express se shpejtësia e autobusit ka qenë në rregull.
“Ne kemi qenë në normat e lejuara të shpejtësisë. Pronarët e kompanisë kanë shkuar në varrim”, thonë zyrtarë të kompanisë Bress Tours. Nga e njëjta kompani kanë thanë se janë intervistuar nga ana e policisë rreth aksidentit.
Ndërkohë, numri i aksidenteve që kanë ndodhur në magjistralen Suharekë-Duhël nuk është i vogël. Por ky rast, nuk ishte tragjedia e vetme me të cilën ishte përballur kjo familje.
29 vite më parë, në të njëjtën rrugë, kishin vdekur edhe 3 persona, njëri ndër ta babai i Jetonit, që atëherë e kishte lënë atë vetëm 4-vjeç.
Duke bartur dru, Shefket Sadikaj, së bashku me 3 djemtë Rexhepin (babai i Jetonit), Hesetin dhe Behxhetin, ishin përplasur me një kamion duke mbetur të vdekur në vend. Nga ky rast kishte shpëtuar vetëm Shefketi, babai i djemve dhe gjyshi i Jetonit. Kështu Jetoni dhe 2 vëllezërit e tij, të rritur jetim, më vonë kishin marrë rrugët e mërgimit nga ku po jetonin tash e sa vite.
Megjithëse, në vendin ku ka ndodhur aksidenti i së dielës, kryetari komunës së Suharekës tha se ka dërguar ekspertin që merret me komunikacion, dhe aty do të vendosen edhe shenja sinjalizuese.