Ishte viti 1986 kur Christopher Knight, asokohe 20-vjeçar po shëtiste në një mal në një zonë rurale në Maine, SHBA, ku me vete kishte marrë gjërat personale për “kamping”.
Kishte parkuar veturën dhe kishte vazhduar shëtitjen në mal, nga e cila nuk kishte dalë hiq më pak se 27 vite, transmeton Telegrafi.

Thellë në mal kishte gjetur një hapësirë që do të bëhej shtëpia e tij – hapësirë e pastër përreth liqenit North Pond. Aty kishte ngritur tendën që e kishte vendosur mes dy drunjve. Ishte i izoluar nga bota edhe pse vetëm pak minuta ecje e ndante nga shtëpizat për pushime.
Ai kishte mbijetuar duke kërkuar ushqim dhe gjësende tjera nëpër ato shtëpiza, por gjithmonë merrte vetëm ato gjëra që i nevojiteshin – ushqim, gaz për përgatitje të ushqimit, bateri dhe libra.
Pretendon se është munduar të shkaktoj sa më pak dëme, por numri i madh i thyerjeve të shtëpizave – mbi njëmijë gjatë atyre viteve – ka shqetësuar tej mase pronarët e tyre – kështu e alarmuan policinë. Ata i vënë kurthe dhe kapën Knight në vepër.
I vetmuar i kaloi gati tri dekada, duke mos e folur as edhe një fjalë me askënd. Në fakt vetëm njëherë e ka përshëndetur një burrë për ato gati 30 vite, të cilin e kishte takuar krejt rastësisht gjatë të 90-ve.
E përkundër dimrit të ashpër në Maine, ku temperaturat zbresin deri në minus 20 gradë celsius, Knight thotë se asnjëherë nuk kishte ndezur zjarr, pasi frikësohej që tymi do të tërhiqte vëmendjen e personave të “padëshiruar”.
Shkrimtari Mike Finkel ka vizituar Knight në burg derisa po shkruante një libër për të dhe arratisjen nga bota, “I huaji në mal: Rrëfimi i jashtëzakonshëm për njeriun e vetëm në mal”. Ai fillimisht e kishte pyetur se pse ia kishte kthyer shpinën botës, dhe kishte bërë një jetë primitive.

“Më tha se nuk ndihej rehat nga njerëzit që e rrethonin. Mendoja se i kishte ndodhur diçka, që e ka shtyrë të ndërmarrë një veprim të tillë. E pyeta nëse ka kryer ndonjë krim, apo nëse ndihet i turpëruar për diçka që ka bërë, por ai vazhdimisht insistonte se asgjë nuk ka ndodhur dhe se thjesht kishte ndjerë nevojë të jetë vetëm, sikur po i fliste trupi se do të ndihet më mirë nëse jeton larg botës moderne”, ka shtuar Finkel.


















