Burrat nën hije, lozin, kuvendojnë…

Fshati im
Poezi e shkruar nga Andon Z. Çajupi.
Maletë me gurë,
fushat me bar shumë,
aratë me grurë,
më tutje një lumë.
Fshati për karshi
me kish’ e me varre,
rrotull ca shtëpi
të vogëla fare.
Ujëtë të ftohtë,
era pun’ e madhe,
bilbili ia thotë,
gratë si sorkadhe.
Burrat nën hije,
lozin, kuvendojnë,
pika që s’u bie,
se nga gratë rrojnë!

Lexo edheHaradinaj: Gjuha shqipe meriton të njihet nga shumë studiues të botës
Gratë venë nd’arë,
dhe në vreshta gratë,
gruaja korr barë,
punon dit’ e natë.
Gratë në të shirë,
në të vjela gratë,
ikinë pa gdhirë,
kthenenë me natë.
Gruaja për burrë
digjetë në diell,
punon e s’rri kurrë
as ditën e diel.
O moj shqipëtarkë,
që vet’ e nget qetë,
edhe drek’ e darkë
kthehesh e bën vetë;
Moj e mjera grua,
Ç’e do burrë zinë
që ftohet në krua
dhe ti mban shtëpinë!














