“British Airways” rifillon fluturimet pas kaosit të së shtunës

Kompania ajrore angleze, “British Airways”, rifilloi të dielën fluturimet pas anulimit të tyre të shtunën në disa aeroporte të vendit; megjithatë paralajmëroi se vonesa dhe anulime mund të ketë sërish.
“British Airways” njoftoi se kishte për synim që të operonte me kapacitet të plotë sa i përket fluturimeve të planifikuara nga Aeroporti “Gatwick” dhe shumicës së atyre nga ai “Heathrow”, pas kaosit për mijëra klientë të shkaktuar nga një defekt në sistemin kompjuterik.
“Jemi ende duke punuar fuqishëm që të rikthejmë në situatë normale sistemet tona të teknologjisë së informacionit (IT), ndaj synojmë që të vijojmë thuajse normalisht me fluturimet në Gatwick dhe me shumicën e atyre nga Heathrow”, shkruan kompania ajrore britanike në një deklaratë.
“Ne jemi duke rimbursuar ose riprogramuar fluturimet për klientët, që u prekën nga anulimet masive, përmes shërbimeve të reja sa më shpejt që të jetë e mundur. Shprehim keqardhje tonë për këtë pengesë të madhe, të cilën ua kemi shkaktuar klientëve”, thuhet më tej në deklaratë e sipërcituar.
“British Airways” anuloi të gjitha fluturimet nga dy aeroportet kryesore të Londrës gjatë ditës së shtunë, pas një problemi në sistemet kompjuterike si pasojë e ndërprerjes së papritur të energjisë elektrike.
Kjo situatë preku mijëra pasagjerë, ndërkohë që disa prej tyre u detyruan të fluturonin pa bagazhe ose pa e ditur se ku ato do të shkonin.

Lexo edheI papëlqyer, emërtimi “arena” nis të hiqet nga terrenet sportive në Turqi
Problemi në fjalë pritet të ketë efekt edhe në fluturimet e së hënës.
Nga ana tjetër, drejtori i përgjithshëm i “British Airways” bëri me dije se nuk ka asnjë provë rreth ndonjë sulmi kibernetik duke konfirmuar se shkaktare e problemit është ndërprerja e paparashikuar e energjisë elektrike.
Pasagjerëve u këshillohet që të kontrollojnë fluturimet e tyre nga uebfaqja e kompanisë “British Airways” përpara se të nisen për në aeroport.
Informacione në lidhje me situatën e fundit të fluturimeve janë duke ofruar gjithashtu faqet e internetit të aeroporteve “Gatwick” dhe “Heathrow” të Londrës. /trt/














