Britania e Madhe do të nisë nesër ndalimin e ‘vape’-t e njëpërdorimshëm, si pjesë e një fushate për të frenuar rritjen alarmante të përdorimit të tyre nëpër shkolla
Dr. Rachel Isba, mjekja që ka themeluar klinikën e parë në vend për ndihmën e fëmijëve të varur nga cigaret me avull, deklaroi për Sky News se disa prej fëmijëve nuk mund të flenë pa pasur të tilla cigare afër tyre.
Klinika, e hapur në Liverpool në janar, ka pranuar tashmë pacientë vetëm 11-vjeçarë që janë të varur nga nikotina.
“Disa nga këta të rinj ‘vape’-t i përdorin sapo zgjohen, madje e mbajnë poshtë jastëkut gjatë natës”, tha Dr. Isba. Ajo shtoi se ka raste kur fëmijët zgjohen në orën tre të mëngjesit, duke menduar se cigaret me avull do t’i ndihmojnë të flenë – ndërkohë që nikotina ka efekt të kundërt.
Ndalimi që hyn në fuqi këtë fundjavë do të përfshijë shitjet në dyqane dhe përmes internetit, transmeton Telegrafi.
Ministrja britanike Mary Creagh deklaroi se ‘vape’-t kanë qenë për shumë kohë të pranishëm në rrugë, duke krijuar varësi tek fëmijët, dhe kjo do të marrë fund nga sot.
Megjithatë, disa nxënës në Liverpool janë skeptikë se ndalimi do të ketë ndikim real, pasi sipas tyre ata që janë tashmë të varur do të gjejnë mënyra për të siguruar nikotinën. /Telegrafi/