Zyra e Rregullatorit për Energji thotë se bizneset që po përballen me probleme pasi kaluan në tregun e hapur të energjisë elektrike, “i plotësojnë kriteret ligjore” për të gjetur e blerë vetë rrymë.
ZRRE tha në një komunikatë për media se “ka të licencuar 23 kompani për aktivitetin e furnizimit me energji elektrike”.
“Aktualisht, në tregun e hapur të energjisë elektrike janë 23 kompani të licencuara për furnizim me energji elektrik, prej të cilave 7 furnizues janë aktivë, të cilët kanë nënshkruar kontrata me konsumatorët”.
ZRRE fillimisht “sqaroi” se “procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike është një detyrim ligjor” dhe se nga viti 2017 rregullatori ka ndërmarrë “të gjitha veprimet ligjore dhe rregullative për krijimin e kushteve për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike”.
“Sqarojmë opinionin publik se 9,963 pika matëse të ndërmarrjeve ekonomike i plotësojnë kriteret ligjore për të dalur në tregun e hapur të energjisë elektrike, ku prej tyre: 9,212 pika matëse (92%) janë duke u furnizuar me kontrata komerciale; 751 pika matëse (8%) ende janë pa furnizues”, thuhet në komunikatë.
ZRRE tha se bizneset që kanë mbetur pa furnizues “kanë qenë duke u furnizuar me energji elektrike që nga data 1 Qershor 2025, dhe se nga ajo periudhë kanë pasur mundësi të zgjedhin furnizuesin me energji elektrike dhe të nënshkruajnë kontratë”.
“Për të lehtësuar kalimin e konsumatorëve që i plotësojnë kriteret për të dal në treg të hapur, ZRrE sipas dispozitave ligjore të Ligjit për Energji Elektrike, ka përcaktuar Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) si Furnizues i Mundësisë Fundit (FMF), dhe këta konsumator që deri më 1 Qershor 2025 nuk kishin lidhur ende kontrata komerciale, janë furnizuar përmes FMF për një periudhë gjashtëdhjetë (60) ditore”, thuhet në komunikatë.
Aty përmendet edhe se “konsumatorët të cilët dështojnë të hyjnë në marrëveshje me një nga furnizuesit e licencuar, operatori i sistemit është i obliguar të ndërpresë furnizimin me energji elektrike për ta”.
ZRRE thotë se “do të vazhdojë mbikëqyrjen e procesit dhe inkurajon të gjithë konsumatorët që i plotësojnë kriteret për të dal në treg të hapur, e të cilët ende nuk kanë nënshkruar kontrata komerciale, sa më shpejt të lidhin kontratë me njërin nga furnizuesit e licencuar, për të garantuar furnizim të qëndrueshëm”.