Bërllokut në kryeqytet, duket se do t’u vijë fundi: Prishtina hap tender 2.75 milionësh, për pastrimin e rrugëve

Bërlloku, papastërtitë dhe aromat e këqija në rrugët dhe hapësirat publike të kryeqytetit duket se do t’u vijë fundi. Komuna e Prishtinës ka hapur një tender në vlerë prej 2.75 milionë eurosh për mirëmbajtjen verore të rrugëve dhe trotuareve, ku përfshihen fshirja, larja, pastrimi i kanalizimit atmosferik dhe ujëmbledhësve, shkruan IndeksOnline.
Kontrata është paraparë të realizohet përmes gjashtë loteve, me qëllim që rrugët dhe hapësirat publike të mirëmbahen në mënyrë të organizuar dhe në përputhje me kategorinë dhe frekuentimin e tyre.
Sipas dosjes së tenderit, sheshet do të pastrohen vazhdimisht gjatë ditës, deri në 16 orë, ndërsa rrugët e kategorisë A do të pastrohen çdo ditë. Për rrugët e kategorisë B parashihet pastrimi tri herë në javë, ndërsa ato të kategorisë C një herë në javë, shkruan IndeksOnline.
Tenderi përfshin edhe pastrimin e rrugëve dhe trotuareve nga mbeturinat, larjen e sipërfaqeve, si edhe mirëmbajtjen e ujëmbledhësve dhe kanalizimit atmosferik. Krahas punëtorëve, kompania që do ta fitojë kontratën do të jetë e obliguar të sigurojë edhe pajisjet dhe makineritë e nevojshme për kryerjen e shërbimeve, shkruan IndeksOnline.
Në dokumentacion specifikohet se fshirja e rrugëve duhet të bëhet edhe me makina përkatëse të pastrimit, ndërsa mbeturinat e mbledhura duhet të transportohen në deponi të autorizuara.



Po ashtu, kontraktuesi duhet të angazhojë punëtorë për pastrimin e trotuareve dhe hapësirave publike, ndërsa në dosje janë përcaktuar edhe kërkesa për numrin e punëtorëve dhe pajisjet që duhet të jenë në dispozicion.
Vlera e përgjithshme e tenderit është 2,750,000 euro, e ndarë në gjashtë lote:
LOT I – 850,000 euro
LOT II – 550,000 euro

Lexo edheNis vitin e ri shkollor UBT International Smart Schools
LOT III – 350,000 euro
LOT IV – 350,000 euro
LOT V – 400,000 euro
LOT VI – 250,000 euro
Ndërkaq, sipas planifikimit financiar, 550 mijë euro janë paraparë për vitin 2026, 1 milion euro për vitin 2027 dhe 1.2 milionë euro për vitin 2028, shkruan IndeksOnline.
Me këtë kontratë, Komuna e Prishtinës synon të sigurojë pastrimin dhe mirëmbajtjen e rregullt të rrugëve, trotuareve, shesheve dhe hapësirave të tjera publike në kryeqytet./IndeksOnline/














