Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka apelura tek banorët e Skenderajt që të mos ndezin zjarre, sepse zjarri shpërndahet në fusha e pyje dhe merrë përmasa të mëdha duke veshtirësuar punën e zjarrëfikësve në fikjen e zjarrit, raporton DrenicaPress
Sipas të parit të komunës, djegia e hamullishtave të arave dhe çdo djegie tjetër e mbeturinave ndëshkohet me gjobë 100 euro sipas udhëzimit administrativ për ndëshkime me gjoba mandatore.
Lexojeni të plotë apelin e Bekim Jasharit:
Të dashur qytetarë,
Ditëve të fundit përveq infeksionit COVID-19 po përballemi edhe me djegien e pyjeve, fushave e pasurive familjare.
Shkaktar i këtyre zjarreve është njeriu, si pasojë e mungesës së kujdesit, ku duke djegur hamullishtat e arave e kopshteve zjarri shpërndahet në fusha e pyje dhe merrë përmasa të mëdha duke veshtirësuar punën e zjarrëfikësve në fikjen e zjarrit.
Djegia e hamullishtave të arave dhe çdo djegie tjetër e mbeturinave ndëshkohet me gjobë 100 euro sipas udhëzimit administrativ për ndëshkime me gjoba mandatore.
Andaj apeloj tek të gjithë ju që të mos përserisni një praktikë të tillë që dëmton tokën dhe shkatërron diversitetin biologjik.
Të pastrojmë, t’i mirëmbajmë hapësirat tona por duke pasur kujdes dhe mos ti djegim këto mbetje pas pastrimit!
Të ruajmë natyrën tonë të bukur!