Saturday, July 19, 2025
BallinaLajmeLajmet e FunditBehrami: Nuk do të lejojmë që Kosova të shkatërrohet nga popullistë, demagogë...

Behrami: Nuk do të lejojmë që Kosova të shkatërrohet nga popullistë, demagogë dhe autokratë

Të ngjajshme

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka reaguar me tone të ashpra ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke e akuzuar atë për shkelje të Kushtetutës dhe për qasje antidemokratike.

Në një deklarim gjatë seancës së 49-të të Kuvendit, Behrami ka ndarë partitë në dy blloqe: ato që, sipas tij, po mbrojnë rendin kushtetues dhe ato që po e pengojnë atë.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës në këto 49-të seanca është ndarë në: Këto parti që kemi mbetur në sallë për të mbrojtur Kushtetutën, aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, ligjet, rregulloren dhe praktikat parlamentare, Dhe në parti që sapo dolën! Parti, që keqpërdorin të drejtën për të propozuar kryetarin e Kuvendit për agjenda antidemokratike; që kërcënojnë me përmbysje të rendit kushtetues, që mbajnë peng Kuvendin, Qeverinë; që shkelin Kushtetutën, ligjet dhe të gjitha normat”, tha Behrami, transmeton lajmi.net.

“Partitë që kanë mbetur në sallë, trashëgimtare të shtetndërtimit”

Në vazhdim të fjalës së tij, Behrami theksoi se partitë që nuk kanë braktisur sallën janë përfaqësuese të gjeneratave që ndërtuan shtetin dhe mbrojtën Kosovën në periudha të ndryshme historike.

“Partitë politike që kanë mbetur në sallë janë gjenerata e rezistencës paqësore, e luftës çlirimtare, e shpalljes së pavarësisë dhe e shtetndërtimit. Janë partitë që krijuan Republikën. Ishin bashkë në rrugët e Kosovës në vitet ’90, duke demonstruar kundër përndjekjes, represionit dhe Apartheid-it.
U bënë bashkë edhe në frontet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në luftë kundër shtetit të Serbisë.
Së bashku punuan për të jetësuar aspiratat shekullore për një shtet të pavarur dhe sovran, kur më 17 shkurt 2008, Presidenti Thaçi shpalli Pavarësinë e Kosovës nga kjo foltore.
Bashkë punuan për shtetndërtimin, forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, për transformim ekonomik dhe shoqëror.”

Kritika për Vetëvendosjen dhe paralajmërim për institucionet

Behrami akuzoi Vetëvendosjen për uzurpim të institucioneve dhe përpjekje për përmbysje të rendit kushtetues, duke e quajtur qeverisjen aktuale një “mendësi totalitare”.

“Këto parti, bashkë me aleatët ndërkombëtarë, ndërtuan institucione të forta, demokratike dhe të pavarura. Institucione që do t’i rezistojnë tundimeve autokrate të Albin Kurtit!
Partitë që sapo e braktisën sallën e Kuvendit asnjëherë nuk kanë besuar në projektin e Kosovës së pavarur.
Lëvizja Vetëvendosje në pushtet erdhi përmes dhunës politike, përmes sulmeve ndaj institucioneve, etiketimeve, demonizimit dhe përçarjes shoqërore – erdhi përmes urrejtjes!
Prandaj, partitë që dolën nga salla nuk kanë ndjeshmëri për shtetin, për institucionet, për Kushtetutën, për ligjet, për rregulloret, për sundim të ligjit. Nuk kanë empati, sepse nuk kanë hise në to.
Sot, institucionet e Republikës së Kosovës janë të uzurpuara, të okupuara nga një mendësi totalitare.”

“Testi më i madh që nga shpallja e pavarësisë”

Deputeti i PDK-së tha se partia e tij dhe të tjerat që kanë mbetur në sallë kanë përgjegjësi për të mbrojtur rendin kushtetues dhe institucionet.

“Nga një parti politike që nuk njeh ndarjen e pushtetit. Që mban pushtetin me çdo kusht, edhe kur legjitimiteti ka rënë, edhe kur rendi kushtetues kërkon ndryshim.
Ky është testi më i madh i shtetit dhe i institucioneve të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.
Është përgjegjësi e jona, e këtyre partive që kanë mbetur në sallë, që të mbrojmë Kosovën nga ata që gjithmonë e kanë braktisur, që gjithmonë e kanë gërryer, që gjithmonë e kanë rrënuar.
Por, fruthi i popullizmit ka filluar të përthahet.”

“Vetëvendosje ka shkelur edhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”

Behrami i referohet edhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj Supreme, duke thënë se ato tregojnë fuqinë e institucioneve, ndërsa akuzon VV-në për shkelje të konventave ndërkombëtare.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i Gjykatës Supreme janë tregues për fuqinë e institucioneve të Kosovës.
Por, nuk është vetëm Kushtetuta që këta e kanë shkelur! Lëvizja Vetëvendosje, tashmë ka shkelur edhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, konkretisht nenin 17, e cila ka sanksionuar shumë parti populliste në mbarë Evropën. Sepse, kur një e drejtë demokratike përdoret për të përmbysur rendin kushtetues, ajo shndërrohet në padrejtësi dhe në rrezik për shtetin!
Pra, liria e partive ka kufij kur ato synojnë përmbysjen e demokracisë dhe rendit kushtetues, kur ato synojnë shkatërrimin e vlerave demokratike, duke u fshehur pas lirive të garantuara kushtetuese. Dhe diçka kemi mësuar prej atyre që janë ulur para nesh në këtë Parlament. Edhe nga ata të viteve të 90-ta jashtë këtij parlamenti.”

“Nuk do të lejojmë shkatërrimin e Kosovës”

Duke përmbyllur fjalën e tij, Behrami theksoi se Kosova do të mbetet një shtet demokratik, duke e cilësuar këtë krizë si kalimtare.

“Në emër të ligjit, në emër të demokracisë dhe në emër të gjeneratave që sakrifikuan për këtë shtet: nuk do të lejojmë që Kosova të shkatërrohet nga popullistë, demagogë dhe autokratë.
Edhe pas kësaj krize, Kosova do të mbetet një vend modern dhe demokratik, i shëruar plotësisht nga popullzimi, demagogjia dhe mashtrimet!”, përfundoi Behrami./lajmi.net/

- Advertisement -

Të Fundit