Dje në media është raportuar rasti i një 16 vjeçare, nxënëse nga Drenasi, e cila ndonëse kishte shkuar në polici për të denoncuar profesorin e saj për dhunim seksual, ajo ishte përballur me policin i cili në vend të ndihmës e keqpërdori seksualisht.
E për këtë rast, në Komunën e Drenasit do të organizohet një protestë, përveç protestës në këtë marsh ndër të tjera do të kërkohet edhe bojkotimi i procesit mësimor në të gjitha shkollat në këtë komunë, njofton KosovaPost.
Më poshtë gjeni thirrjen e plotë të organizatorit, Afrim Berisha:
Ne duhet të aktivizohemi, ose të pranojmë si injorantë, si qyqanë e si frikacakë të na i dhunojnë në mënyrë zingjirore fëmijët tanë.
Ky përdhunim i nxënëses në Drenas, është mbjellur para 19 vitesh dhe është ujitur për 19 vite.
Sistemi arsimor i shkatërruar nga politikanë injorantë e i “mirëmbajtur” nga ne me heshtjen tonë, nga bankat shkollore e universitare nxorën: Mësues përdhunues, Policë përdhunues, Doktorë përdhunues e Prokurorë përdhunues, e ne prapë heshtim.
Në Drenas duhet të bëhen bashkë të gjithë ata që janë kundër përdhunuesve, të bëhen bashkë: Nxënësit, Studentët dhe Prindërit, të protestojnë e të bojkotojnë mësimin të paktën për një ditë, në protestë duhet të bashkëngjiten Mësuesit, Profesorët, Policët dhe Doktorët, të tregojnë me prezencën e tyre a janë në anën e krimit/dhunuesve apo kundër tyre.
Në protestë apo marsh, duhet të jenë të paktën këto kërkesa që mund të mos jenë të vetmet, apo edhe mund të modifikohen:
– Të dënohet përdhunuesi mësues dhe kurrë mos të lejohet t’i kthehet më asnjë profesioni publik.
– Të dënohet përdhunuesi polic dhe kurrë mos të lejohet t’i kthehet më asnjë profesioni publik.
– Të dënohet përdhunuesi doktor.
– Të fillojë një hetim edhe për të kaluarën në shkollat e Drenasit, në të cilën janë përmendur edhe dhunime tjera.
-Të ketë psikologë menjëherë në secilën shkollë.
– Të ketë mekanizëm funksional: Prind-nxënës, mësues.
(Këto nuk janë të mjaftueshme, mund t’u shtohen edhe shumë tjera)
Këto krime me prirje të kafshëve, nuk mjafton të dënohen vetëm nga prokuroria, dhunuesit nuk mjafton të kenë iniciale, ata kanë emër dhe mbiemër, ata duhet t’i dënojë e gjithë shoqëria duke e ngritur zërin e duke i vënë në dukje krimet e turpet e tyre.