Bashkimi Evropian po kërkon që Kosova dhe Serbia t’i respektojnë dhe zbatojnë marrëveshjet e arritura në kuadër të Dialogut të Brukselit, përfshirë Marrëveshjen e Vitit 2013 e cila është miratuar në Kuvendin e Kosovës e ku përfshihet edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, shkruan Gazeta Express.
Besnik Velija
Në një përgjigje për Gazetën e Express, një zëdhënës i BE-së ka rikujtuar edhe faktin se Kosova është zotuar në Ohër në vitin 2023 për të bërë disa rregullime konkrete dhe të krijojë garanci specifike në mënyrë që të sigurohet një nivel i përshtatshëm për të bërë atë që njihet si Vetëmenaxhimi i komunitetit serb në Kosovë.
Ky zëdhënës i BE-së ka thënë se Brukseli zyrtar pret që Kosova t’i bëjë hapat e parë sa i përket Vetëmenaxhimit, i cili gjendet në Nenin 7 të Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023, e arritur nga kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksander Vucic, me ndërmjetësimin e Miroslav Lajcak dhe Josep Borell.
“BE-ja pret që si Kosova ashtu edhe Serbia të respektojnë dhe të zbatojnë plotësisht të gjitha obligimet e tyre nga Dialogu, përfshirë Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, e cila është ratifikuar me shumicë prej 2/3 në Kuvendin e Kosovës.Në nenin 7 të Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023, Kosova është zotuar të krijojë rregullimet dhe garancitë specifike për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë.BE-ja pret që Kosova të ndërmarrë hapat e parë në këtë drejtim”, ka thënë ky zëdhënës i BE-së për Gazetën Express të pyetur lidhur me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe nëse BE është duke insistuar që Kosova të lëviz për ta çuar Draftin në Gjykatë Kushtetuese.
Krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe Vetëmenaxhimi i cili del nga Marrëveshja e Ohrit në vazhdimësi i janë kërkuar Kosovës, duke thënë se janë zotime të marra përsipër për t’i implementuar.
Krijimi i Asociacionit madje është lidhur edhe me rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. /GazetaExpress/