Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha ka dhënë detaje shtesë për takimin me ambasadorin e Francës në Kosovës, Oliver Guerot.
Ai për këtë takim ka thënë se u zhvillua në frymë bashkëpunimi të ndërsjellë dhe reflektoi interesin e përbashkët për forcimin e lidhjeve mes dy shteteve tona, shkruan lajmi.net.
Sipas Bashës, në qendër të diskutimeve në takim ishte thellimi i marrëdhënieve bilaterale, me theks të veçantë tek fusha e arsimit dhe kulturës.
“Takimi ynë u zhvillua në frymë bashkëpunimi të ndërsjellë dhe reflektoi interesin e përbashkët për Me Ambasadorin Guérot u pajtuam që të shtohen programet për shkëmbimin e studentëve të të dy vendeve tona dhe shtim të aktiviteteve kulturore frankofone, duke i forcuar kështu vlerat e përbashkëta, lidhjet mes popujve dhe bashkëpunimin mes studentëve e universiteteve tona”, ka shkruar Basha.
Ai ka thënë se u bisedua edhe nevoja për themelimin e institucioneve vartëse të Kuvendit, pjesë që nuk u përmend në komunikatën e lëshuar nga Kuvendi.
“Në takim e potencova edhe nevojën e procedimit të themelimit të institucioneve vartëse të Kuvendit, në mënyrë që të sigurohet funksionimi i plotë i institucioneve tona, për çka kemi edhe përgjegjësi ndaj qytetarëve”, ka shkruar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha.
Sipas Bashës, pikë tjetër e rëndësishme e bisedës ishte intensifikimi i bashkëpunimit për të nxitur investimet nga kompanitë franceze në Kosovë, në mënyrë që të krijohen vende të reja pune dhe njëkohësisht të afirmohet më tej potenciali i jashtëzakonshëm i rinisë sonë, e cila është profesionale, inovative dhe e orientuar drejt zhvillimit teknologjik e më gjerë.
“Në takim trajtuam gjithashtu çështje me rëndësi gjeopolitike dhe strategjike, si ndikimi rus në Evropë, nevoja e mbështetjes nga Franca për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe domosdoshmëria e largimit të masave nga Bashkimi Evropian ndaj vendit tonë. Ndër të tjera theksova se këta hapa do të ndikojnë pozitivisht në forcimin e mëtejshëm të demokracisë dhe në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut në Kosovë. Po ashtu, Ambasadorit i shpreha edhe përkushtimin e plotë të Kuvendit të Republikës për mbrojtjen e të drejtave të të gjitha komuniteteve dhe theksova rëndësinë e integrimit të plotë në funksion të një shoqërie që bashkëjeton në respekt, barazi, paqe dhe zhvillim të gjithëmbarshëm në shtetin tonë”, ka shtuar Basha. /Lajmi.net/
Postimi i tij i plotë: