Hansi Flick duhet ta menaxhojë jo vetëm formën fizike të skuadrës dhe kalendarin e ngjeshur, por edhe rrezikun e pezullimeve para ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Newcastle United.
Trajneri gjerman i ka katër lojtarë në listën e të rrezikuarve, tre prej të cilëve pritet të jenë titullarë në ndeshjen e sontme.
Një karton i verdhë për ta do të thoshte mungesë në ndeshjen e kthimit, shkruan “Gazeta Express”.
Ndër rastet më delikate është Lamine Yamal, i cili është vetëm një karton larg pezullimit.
Talenti i ri duhet të tregojë kujdes të madh ndaj provokimeve dhe ndërhyrjeve të ashpra, për ta shmangur një ndëshkim që do ta linte jashtë në ndeshjes së kthimit.
Situatë e ndërlikuar është edhe për Fermín López dhe Gerard Martín, dy lojtarë që karakterizohen nga intensiteti dhe agresiviteti në lojë, gjë që e rrit rrezikun për karton të verdhë.
Nëse Fermín ndëshkohet, vendin e tij në ndeshjen e kthimit mund ta marrë Dani Olmo, ndërsa për Gerard Martín alternativa do të ishte Ronald Araújo.
Lojtari i katërt në rrezik pezullimi është Marc Casadó, i cili megjithatë pritet ta nisë ndeshjen nga bankina, ndaj rreziku është më i vogël – edhe pse një aktivizim në pjesën e dytë mund ta ekspozojë ndaj kartonit. /Gazeta Express