Banorët e fshatit Rrjoll të Velipojës protestuan sot kundër ndërtimit të një resorti turistik në Baks-Rrjoll.
Gjatë protestës së sotme, pati përplasje mes banorëve dhe efektivëve të policisë, pasi këta të fundit i ndaluan që të futen në kantierin e ndërtimit.
Por pas përplasjeve, protestuesit hoqën gardhin metalik dhe telat me gjemba të cila ishin vendosur për të rrethuar kantierin e ndërtimit, aty ku makineritë kanë nisur punë për ndërtimin e resortit.
Banorët e Rrjollit kanë zhvilluar edhe më parë protesta kundër ndërtimit të resortit, pasi pretendojnë se tokat ku po realizohet investimi janë pronë e tyre dhe se po cenohen pa një proces të rregullt ligjor, shkruan ATSh.
Projekti parashikon ndërtimin e një kompleksi turistik me një sipërfaqe rreth 146 hektarë në zonën e Rrjollit (Shkodër), i cili konsiderohet si një nga investimet më të mëdha turistike në vend.