Profesori Arsim Bajrami tha të hënën në Frontal në T7 se partia që ka dalë e para në zgjedhjet parlamentare në Kosovë po abuzon me Kushtetutën.
Në debatin me interpretime nga më të ndryshmet për aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit, Bajrami, ish-kryesus i grupit punues për harimin e Kushtetutës së Kosovës dhe ish-kryesues i grupit punues për themelimin e Gjykatës Kushtetuese tha se ka parë studentë të tij të dobët, të cilët “jo vetëm që nuk sqarojnë kurrgjë, por krijojnë edhe konfuzion”.
“Me thënë të drejtën te ne ka degraduar pak standardi i debatit profesional, sidomos debatit kushtetues, sepse nëpër studio televizive defilojnë lloje të ndryshme të të ashtuquajturve ekspertë, që nganjëherë jo vetëm që nuk sqarojnë kurrgjë, por krijojnë edhe konfuzion. Dhe të them të drejtën, shumica prej tyre kanë qenë edhe studentë të mi, edhe atë jo studentë të mirë”, tha ai.
Nganjëherë, Bajrami tha se ndjehet edhe vetë “përgjegjës” kur ata “po gabojnë”.
“Po shtrëngohem, po kam stres, po them kam një pjesë të fajit sepse ka dalë prej duarve të fakultetit tonë”.
Bajrami thotë se “duhet të gjendet një derë dalëse” nga ky ngërç në Kuvend. “Shteti s’mund të mbyllet”.
“Këto seanca duhet të ndalen më. Po më vjen mirë që i kemi edhe 2-3 episode dhe përfundojnë këto episode neveritëse”, tha ai.