Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, i ka reaguar kryeministrit në detyrë Albin Kurti, i cili ka përdorur një indeksim të organizatës “Henley & Partners” për t`u krenuar me qeverisjen e tij.
Ajo është tallur me Kurtin për këtë çështje.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka bërë me dije se kjo organizatë e ka renditu Kosovën para Belgjikës, Francës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë indeksim.
“Albin ‘gjeniu’ e paska gjetë një organizatë “Henley & Partners” e cila e ka renditë Kosovën para Belgjikës, Francës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Japonisë sipas Indeksit Global të Rrezikut dhe Qëndrueshmërisë së Investimeve. Po, në kohën në të cilën jetojmë edhe organizata të tilla mund të gjenden, por indeksimi nuk e ndryshon realitetin ekonomik”, ka shkruar ajo.
Më tej, ajo ka përmendur realitetin në Qeverinë Kurti.
“Realiteti për të cilin Albin Kurti s’ka guximin me e nxjerrë asnjë gjysmë fjale, bile nuk guxon as në intervista me shku përveç nëse moderatori është përfitues i fondeve të qeverisë është ky: Këtë vit çmimi i energjisë elektrike për bizneset është rritë deri në 300%, Si rezultat i politikave të Qeverisë ka lulëzuar mafia energjetike, Gjatë mandatit të qeverisë Kurti janë dhënë 3000 tendera të negociuar, Gjatë mandatit të Kurtit kanë ikur mbi 250 mijë qytetarë nga vendi, shumica nga ata me viza pune dmth. punëtorë të kualifikuar”, ka shkruar Bajrami.