Avokati i Popullit ngre shqetësime për Hagën: Gjykata nuk ka bërë mjaftueshëm për të krijuar besim

Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka ngritur shqetësime lidhur me kohëzgjatjen e paraburgimit dhe respektimin e të drejtave të njeriut në proceset që po zhvillohen në Hagë.
Në një prononcim për IndeksOnline, ai ka thënë se raporti i organizatës së pavarur “Bar Human Rights Committee of England and Wales” (BHRC), e angazhuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit, ka evidentuar shqetësime serioze.
“Për sa i përket çështjes së paraburgimit dhe kufizimit të të drejtave gjatë qëndrimit në paraburgim, raporti ka evidentuar shqetësime serioze lidhur me kohëzgjatjen e paraburgimit, mungesën e mundësive reale për lirim të përkohshëm dhe kufizimet e komunikimeve familjare dhe profesionale”, ka deklaruar ai.
I pyetur për ndikimin që mund të ketë një aktgjykim fajësues në besimin e qytetarëve ndaj drejtësisë ndërkombëtare, Avokati i Popullit ka theksuar rëndësinë e transparencës.
“Një Gjykatë përveç se duhet të jetë gjykatë e drejtë dhe që ndan drejtësi, vendimet e saj duhen të kenë besueshmëri të lartë në publik”, ka thënë ai.
Sipas tij, raporti ka konstatuar se gjykata “nuk ka qenë transparente dhe nuk ka bërë mjaftueshëm që të krijojë besim në publik”.

Lexo edheSHSKUK-ja shpenzon mbi 1.1 milionë euro për ilaçin kundër mpiksjes së gjakut
“Një mungesë e tillë e besimit rrezikon që vendimet të cilat i nxjerrë të mos jenë në përputhje me standardet demokratike që garantojnë një gjykim të drejtë dhe të pavarur”, ka deklaruar Avokati i Popullit.
Ai ka bërë të ditur se për shqetësimet e evidentuara në raport, Institucioni i Avokatit të Popullit u është drejtuar institucioneve të Kosovës dhe shteteve sponsorizuese të Gjykatës.
Po ashtu, më 11 qershor në Hagë është mbajtur një takim me rreth 70 pjesëmarrës, ku autorët e raportit kanë prezantuar gjetjet e tyre.
“Sipas ekspertëve, ky standard nuk është respektuar në rastin konkret por që duhet hetime të mëtejme”, ka thënë Avokati i Popullit.
Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së pritet të shpallet më 16 shtator në Hagë./IndeksOnline/












