Autostrada Shkup–Bllacë drejt realizimit, punimet nisin së shpejti

Ministri i Transportit i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikollovski, ka njoftuar se gjatë kësaj vere do të nisë ndërtimi i autostradës Shkup–Bllacë, një projekt i rëndësishëm infrastrukturor që synon përmirësimin e lidhjes me Kosovën dhe rajonin.
“Gjatë kësaj vere do të filloj të ndërtohet autostrada Shkup-Bllacë. Punimet do t’i realizojë konzorciumi i udhëhequr nga kompania “Granit””, ka deklaruar Nikollovski.
Sipas tij, kjo kompani vendore do të jetë bartëse e një projekti madhor, i cili pritet të përfundojë brenda tre viteve e gjysmë.
“Autostrada Shkup–Bllacë do të përmirësojë lidhjen me Kosovën dhe Malin e Zi, do të rrisë sigurinë në trafik dhe do të krijojë mundësi të reja për zhvillim ekonomik, tregti dhe investime në rajon”, ka theksuar Nikollovski.

Lexo edheVuçiq paralajmëron dorëheqjen pas protestave në Serbi
Projekti për ndërtimin e kësaj autostrade daton që nga viti 2014. Ndërtimi i segmentit të parë prej 2 kilometrash ka nisur në vitin 2022, ndërsa fillimi i punimeve për segmentin e dytë prej 10 kilometrash ishte paraparë në dhjetor të vitit të kaluar.
Zvarritja e punimeve, sipas Ministrisë së Transportit, është shkaktuar nga procedurat burokratike të institucionit financiar.














