Asamblistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! retrospektiv për qeverisjen komunale në Skenderaj

Dy asamblistët e VV-së në Kuvendin Komunal të Skenderajt, Hysni Mehani dhe Vjollca Ramadani, në profilin e tyre në Facebook, kanë paraqitur një retrospektiv për qeverisjen e komunale të Skenderajt.
Drenicapress e sjell pa ndërhyrje dhe plotë postimin e dy asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj.
Një vit asamblistë, nën qeverisjen e Bekim Jasharit, RETROSPEKTIVË!
Në zgjedhjet e fundit lokale, qytetarët e komunës së Skenderajt kishin votuar për ndryshim dhe për ta quar në opozitë PDK-në. Të lodhur nga keqqeverisja e PDK-së dhe nevoja e madhe e qytetarëve për një qeverisje të përkushtuar, të ndershme që i zgjidh problemet dhe hallet e qytetarëve dhe jo një qeverisje që pasuron qeveritarët e varfëron qytetarët.
Dihen rrethanat përse qytetarët i kanë besu në mënyrë plebishitare kryetarit aktual, por edhe kryetari do duhej t’i përgjigjei këtij besimi me një platformë qeverisëse për vitin 2018, platformë e cila fatkeqësisht mungoi. Por, është vështirë me e vlerësu qeverisjen komunale në Skenderaj pasi që është qeverisje që i ka fituar zgjedhjet pa dhënë asnjë premtim konkret.
Thënë shkurt, viti 2018 ishte qeverisje kuturu, pa një plan të qartë të punës, pa platformën qeverisëse katërvjeçare dhe pa objektiva të qarta për zhvillimin e komunës sonë. Kryetari e ka pasur kohën e mjaftueshme në dispozicion që të hartojë një platformë qeverisëse zhvillimore dhe kështu të përmbushë pritjet e qytetarëve, por edhe të zgjidh problemet e tyre.
Por, një e gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Kjo ka bërë që ky vit të përcillet me një qeverisje të paqëndrueshme, duke manifestu sharje për qeverisjen e kaluar deklarativisht, por duke mos ndërruar asgjë nga platforma qeverisëse e saj përmbajtësisht. Për më tepër, kryetari paradite publikonte fakte se si qeverisja e kaluar i kishte vjedhur edhe gomat e veturave – kjo ngjallte shpresë, por pasdite drekonte me të njëjtit njerëz që i akuzonte për keqpërdorime paradite – kjo krijonte zhgënjim.
Që në fillim, qeverisja aktuale filloi me parregullësi. Që në seancën e parë, e cila ishte seancë me karakter inagurues, votat e asamblistëve u shënjuan, për të kuptuar se kush më kë e për kë ishte.
Duhet thënë se kryetari ishte zotuar se do të ishte i pavarur. Një gjë e tillë ishte mirëpritur nga shumë, por me të filluar punën Kuvendi Komunal, filluan të shfaqen asamblistët që për interesa personale e meskine do të ofronin votën për çkado, por jo edhe për interesat e qytetarëve. Një qasje e tillë e devalvoi qeverisjen dhe e degradoi Kuvendin Komunal dhe rolin dhe përgjegjësitë e asambleistit.
Si kryetar i pavarur filloi të krijonte grupin e asamblistëve të varur. Tashmë, kryetari i pavarur, vendimet i merr me votat e asamblistëve të varur, të cilët bënë pazare për interesa meskine. Nuk kishte nevojë për qasje të tillë. Një qeverisje në interes të qytetarëve do të gjente përkrahjen e asambleistëve në Kuvend, pa pasë nevojë për pazare të ulëta. Vetëm një qeverisje e tillë do t’i bënte nderë edhe kryetarit edhe qytetarëve. Kemi mbetur, vetëm ne, asamblistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të pa përçarë dhe të cilët nuk pranuam të hyjmë në pazare, diskutojmë, japim propozime, votojmë “PRO” për çështje që i konsiderojmë të drejta, votojmë “KUNDËR” për çështja që i konsiderojmë të gabuara.
E filluan me seancën inaguruase e cila ishte shoqëruar me probleme thelbësore të cënimit të demokracisë. Më tutje, në seancat vijuese problemet veçse rriteshin, dhe ato kulmuan kur me iniciativën tonë bojkotuam mbledhjet e Kuvendit Komunal në shenjë mospajtimi procedural me formën se si po iniciohej “Parku i Biznesit”. Por ajo që u pa më pas, është se vërejtjet e dhëna nga ne dolën të sakta. Procesi më vonë nga MAPL u kthye në pikën zero, disa herë u votua për “Parkun e Biznesit” por asgjë konkrete nuk kemi as sot e kësaj dite.
Në seancat vijuese, e sidomos në ato që raportohej për punët e ekzekutivit, vëreheshin anomali të mëdha, rrugë, kanalizime, trotuare që në dokumente zyrtare figuronin të përfunduara, e që ne si Lëvizje VETËVENDOSJE! kishim dalë t’i evidentojmë në terren, por nuk shiheshin askund.
Shembull:
Asfaltimi i rrugës Abri–Murgë, në vlerë 187,099.20€
Kanalizimi në Likoc në vlerë 30.000€
Kanalzimi fekal Klladernicë–Kopiliq–Turiqec në vlerë 30.000€
Asafaltimi i rrugës Kuqicë–Terrnac në vlerë 50.000€
Vendosjae dy ashensorëve në QKMF në vlerë 35.000€
Hapja e pusit për furnizim me ujë në QKMF në vlerë 5.000€
Këto projekte figuronin të realizuara 100% në raportin e punës janar – qershor, por në realitet as që kishin filluar.

Lexo edheAksident në Drenas, ka edhe të lënduar
Qeverisja njëvjeçare në Komunën e Skenderajt ishte larg asaj që kanë pritur qytetarët. Një qeverisje pa program, që më shumë përpiqet se si të qëndrojë në këmbë sesa ta zhvillojë komunën, me një atmosferë aspak demokratike në Kuvendin Komunal, ku mbi asambleistët ushtrohet presion e kërcënime, ka bërë që skandali ta mbulojë skandalin tjetër.
Ne si Lëvizje, do të vazhdojmë të angazhohemi për një qeverisje të drejtë, të ndershme, profesionale e zhvillimore, duke bartur kërkesat e qytetarëve në kuvendin komunal, por edhe duke informuar publikun për mënyrën e qeverisjes.
Me qëllim nuk jemi lëshuar edhe më në detajet qeverisëse, sepse, roli i opozitës, nuk është veç me kritiku, por ajo duhet të jep edhe alternativat e saja. Të japësh alternativë në këtë konstelacion qeverisës, është e barazvlefshme të mendosh se ku do t’i vendosësh orenditë shtëpiake, derisa shtëpia po digjet.
Qeverisja komunale në Skenderaj, ka shpërfaq arrogancë të madhe, ka lënduar seriozisht demokracinë.
Ne nuk kemi alternativë për këtë lloj qeverisje, sepse, fatkeqësisht, alternativa jonë, karshi qeverisjes aktuale i bie të jetë kjo: mos i bleni asamblistët dhe ta shndërroni gjendjen e tyre të rëndë ekonomike në makineri votimi pa subjektivitet. Mos i rrahni asamblistët që mendojnë ndryshe nga ju, dhe mos ua cënonin familjet asamblistëve që nuk pajtohen me juve. Mos i ndryshoni e shtrembroni dokumentet zyrtare, sepse auditori ua zbulon, dhe qeverisjen komunale në Skenderaj e paraqet si atë të Kandaharit. Lejoni transmetimin live të seancave të kuvendit. Rregullojeni zgjerimin në punimet e seancave të kuvendit etj, etj, etj.
Kur ballafaqohesh me probleme të tilla në funksionimin e demokracisë, si opozitë, është utopike t’i japësh alternativa qytetarit për formën se si duhet qeverisur ndryshe, kur në realitet qytetarit i vjen keq për gjëndjen në të cilën kjo qeverisje i ka sjellur asamblistët si të zgjedhur të popullit.
Kur debati që zhvillohet nuk është se cila është alternativa yte si subjekt e si asamblist, por debat bëhet a guxon të shkosh në punimet e asamblesë apo jo?! Dhe, mediat raportojnë së asamblistët shkojnë me truproje në seancë, në vend se të raportojnë për qëndrimet që asamblistët mbajnë në kuvendin komunal! Fatale për demokracinë në Skenderaj.















