Një 42-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare është arrestuar në Itali, me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Policia e Shtetit njoftoi se arrestimi i Sefer Selimajt, i njohur edhe me emrin Ani Ibraliu, u realizua në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës.
Sipas autoriteteve, Gjykata e Apelit në Tiranë e kishte dënuar atë në vitin 2017 me 15 vjet burgim për veprën penale “Trafikimi i qenieve njerëzore”.
Nga dënimi i shqiptuar, 42-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur edhe 13 vjet, 10 muaj e 19 ditë burgim.
Policia bëri të ditur se bashkëpunimi me autoritetet italiane po vazhdon për përfundimin e procedurave të ekstradimit dhe transferimin e tij në Shqipëri për vuajtjen e pjesës së mbetur të dënimit.