Kosova vazhdon të mbetet jashtë INTERPOL-it, organizatës më të madhe ndërkombëtare të policisë, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për anëtarësim.
Mungesa e anëtarësimit konsiderohet si një sfidë jo vetëm për sigurinë, por edhe për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit.
Në nëntor të vitit 2018, Kosova dështoi të sigurojë anëtarësimin në INTERPOL gjatë Asamblesë së Përgjithshme të mbajtur në Dubai. Në rundin e parë të votimit, anëtarësimi i Kosovës u mbështet nga 76 shtete, 56 votuan kundër, ndërsa 22 abstenuan. Në rundin e dytë, Kosova mori 68 vota pro, 51 kundër dhe 16 abstenime, rezultat që nuk mjaftoi për të siguruar shumicën prej dy të tretave të nevojshme për pranim.
Pas votimit, INTERPOL njoftoi se dy shtete të reja, Kiribati dhe Vanuatu, u pranuan si anëtare të organizatës, e cila sot numëron 194 shtete anëtare.
Qeveria e Kosovës në atë kohë kishte shprehur zhgënjimin e saj për mospranimin në këtë organizatë, duke theksuar se vendit po i mohohej mundësia për t’u bërë pjesë e familjes botërore të policive që bashkëpunojnë në luftën kundër krimit transnacional.
Eksperti i sigurisë dhe ish-kryeinspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Burim Ramadani, vlerëson se anëtarësimi në INTERPOL mbetet një objektiv me rëndësi strategjike për Kosovën.
Sipas tij, anëtarësimi do t’i mundësonte Policisë së Kosovës qasje të drejtpërdrejtë në rrjetet dhe bazat ndërkombëtare të të dhënave, duke rritur efikasitetin në luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit dhe personave në kërkim ndërkombëtar.
Ramadani për IndeksOnline thekson se mungesa e progresit lidhet me sfidat diplomatike dhe me faktin se kjo çështje nuk ka pasur vazhdimisht prioritetin e nevojshëm në agjendën shtetërore.
“Anëtarësimi në INTERPOL është shumë i rëndësishëm për sigurinë e Kosovës dhe për forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar. Nuk duhet të ketë kthim mbrapa dhe as zhgënjim. Kosova duhet ta rikthejë këtë proces në fokus të angazhimit diplomatik”, ka deklaruar ai për IndeksOnline.
Sipas Ramadanit, për të arritur këtë synim nevojitet një angazhim i koordinuar diplomatik, mbështetje e partnerëve ndërkombëtarë dhe një fushatë aktive lobimi, në mënyrë që anëtarësimi në INTERPOL të shndërrohet në një prioritet të qartë shtetëror.