Andrea Pirlo pritet të jetë trajneri i ri i Italisë, ka nisur ta mbledhë stafin e tij

Andrea Pirlo pritet të bëhet trajneri i ri i kombëtares së Italisë, ndërsa ka nisur të marrë formë edhe stafi i tij teknik, ku përfshihen disa emra të njohur.
Sipas raportimeve të shumta, Pirlo e ka pranuar ofertën për të marrë drejtimin e “Azzurrëve”, pasi ishte zgjedhja e tretë e Federatës Italiane të Futbollit, pas refuzimeve nga Carlo Ancelotti dhe Pep Guardiola.
E vetmja pengesë që ka mbetur është zgjidhja e kontratës së tij aktuale me klubin nga Emiratet e Bashkuara Arabe, United FC.
Më pas, ai pritet të firmosë kontratën e re me Italinë, e cila do ta mbajë në detyrë deri në Kupën e Botës 2030.
Sipas ekspertit të merkatos të “Sky Sport Italia”, Gianluca Di Marzio, Pirlo tashmë ka nisur të ndërtojë stafin e tij për aventurën në kombëtare.
Ndihmëstrajner do të jetë Roberto Baronio, ish-mesfushori i Brescias, Fiorentinës, Lazios dhe Udineses, i cili aktualisht punon me Pirlon te United FC.
Baronio është pjesë e stafit të Pirlos që nga koha kur të dy punonin në akademinë e Juventusit, ndërsa më pas e ka ndjekur edhe te Karagumruk, Sampdoria dhe United FC.
Për Baronion kjo do të jetë një rikthim në kombëtaren italiane, pasi ai drejtoi ekipin U18 të Italisë në sezonin 2015/16, përpara se të promovohej te përfaqësuesja U19 një vit më vonë.

Lexo edheMusiala i nënshtrohet përsëri një operacioni
Ai ishte gjithashtu bashkëlojtar me Pirlon në kombëtaren italiane që fitoi Kampionatin Evropian U21 në vitin 2000.
Roberto De Bellis, i cili gjithashtu punon me ta te United FC, pritet të jetë trajneri i përgatitjes fizike.
Një emër i ri në staf mund të jetë Paolo Bertelli, i cili vetëm pak kohë më parë u emërua menaxher i performancës te Genoa dhe mund t’i mbajë të dyja detyrat njëkohësisht.
Ndërkohë, raportohet se Marco Savorani është kandidati kryesor për postin e trajnerit të portierëve.
Ky do të ishte një rikthim për të, pasi ai e mbajti këtë rol te kombëtarja e Italisë nën drejtimin e Luciano Spallettit nga viti 2023 deri në vitin 2025.
Së fundmi, Savorani ishte pjesë e stafit të Atalantës, ndërsa më herët ka punuar edhe te Roma, Tottenham Hotspur dhe Fiorentina.














