Spektakli është pjesë e futbollit sot e kësaj dite, dhe askush nuk e sundon më mirë këtë kategori se Zlatan Ibrahimovic. Në fushë është një gjeni, jashtë saj një aktor me një ndikim të madh. Sulmuesi suedez e di mirë si t’i shërbejë medieve dhe si të pozicionohet si një markë. Ai ka dhënë një intervistë për gazetën britanike Guardian para disa muajsh, të cilën anglezët tani e kanë publikuar. Gjatë intervistës sulmuesi tregon një anë tjetër, ai flet mbi familjen, rrënjët dhe vlerat që ndikuan në rritjen e tij dhe janë kaq të rëndësishme për të rritur djemtë e tij.
“Familjen time e mbaj jashtë çdo gjëje profesionale. Nuk dua që ata të jetojnë një jetë si timen. Djemtë e mi nuk do të zhvillojnë një jetë nën hije time. Ata do të jenë më të mirë se unë,” shprehet Zlatan, i cili është i martuar me ish-modelen zvicerane Helena Seger. Së bashku ata kanë dy fëmijë, të cilët edhe ata luajnë futboll. “Ata stërviten shumë. Por unë jam shumë i ashpër me ta. Kujdesem që ata të jenë të disiplinuar dhe të tregojnë respekt. Këto principe ata duhet t;i mësojnë. Shpresoj që të bëhen dy ‘ninja’.
Mbi jetën familjare ai shprehet: “Ne, familja ime, ndjekim rregullat tona. Jemi tradicionalë dhe i qëndrojmë besnikë principeve. Jashtë punës kështu duhet të jesh, përndryshe do të kesh mosmarrëveshje.” Gjatë pranverës Zlatan ishte në Suedi për të filmuar një reklamë, familja e shoqëroi. Shumë njerëz iu bashkua, ishte një atmosferë e zhurmshme. “Njerëzit ishin të zhurmshëm dhe agresivë. Por doja që ta shihnin edhe djemtë e mi. Sepse këto janë rrënjët e mia.
Zlatan Ibrahimovic është rritur në Rosengard të Malmoes, një vend të varfër. Babai i tij është nga Bosnja dhe Hercegovina, mamaja e tij ishte kroate. Ata u ndanë herët, Zlatan ka jetuar më shumë me babanë. “Babai ka qenë shumë strikt me mua. Ai punonte shumë. Shumë herë nuk ishte në shtëpi dhe nuk kishte kush më çonte në stërvitje, pasi duhet të kujdesej që të na ushqente. Ky është mentaliteti ballkanas. Kështu që duhet të ikja vetë në shkollë, dhe në sport.
“Nuk kam kërkuar kurrë ndihmë. Kështu të rritet vetëbesimi. Andej nga vij unë nuk pyetet për diçka, por merret.” Ibra është kapiteni i ekipit suedez. Ai identifikohet shumë me vendlindjen e tij. “Unë ndihem suedez, edhe pse tani nuk jetoj aty. Unë vazhdoj të përfaqësoj Suedinë. Unë përfaqësoj gjeneratën e re të suedezëve, atë të shumëllojshmërisë së kulturave. Jam krenar për arritjet tona. Mendoj se i kam hapur horizontin shumë njerëzve. nuk ishte e lehtë. Duhet të kaloja shumë peripeci, për të ardhur ku jam sot.
Sot ai është një nga yjet e futbollit, dhe për më tepër, një multi-milioner. Ai e di: “Edhe sikur të mos luaja më futboll, familja ime do të ketë gjithmonë për të ngrënë. Nuk jam perfekt. Do të bëj gabime përherë. Tiger Woods hiqej si perfekt, dhe çfaë i ndodhi atij? Të gjithë mësojmë nga gabimet që bëjmë. Unë jam realist. Por vetëm unë e vendos se cilat janë gabime e cilat jo.”/telesport.al