Aliu në protestën e komunave: Mjaft me qasje selektive e diskriminuese ndaj komunave

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, i cili është edhe kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, në protestën e organizuar sot para Qeverisë tha se qytetarët kanë nevojë për projekte zhvillimi e jo për pengesa nga Qeveria e vendit.
Ai i bëri thirrje Qeverisë që të ndalë qasjen “diskriminuese” e “selektive” ndaj komunave, duke thënë se ato janë dera e parë ku qytetarët trokasin për nevojat e tyre.
Në fjalimin e tij, Aliu tha se po flet duke përfaqësuar “besimin e mijëra qytetarëve”.
“Mos ia merrni komunave atë që iu takon qytetarëve. Mjaft me qasje selektive, jombështetëse, diskriminuese për komunat. Mjaft më me plagën financiare të komunave pa fajin e komunave e obligimin e tyre që po defunksionalizon e shkatërron qeverisjen lokale si tërësi. Komunat nuk janë të kryetarëve, por të qytetarëve të tyre. Përtej ritmit e hovëve të politikës ditore, përtej një partie që qeveris me akëcilën komunë, qytetarët kanë nevojë për projekte zhvillimi”.

Lexo edheShtyhet seanca ndaj Endrit Nikës, kërkon ndërrimin e përkthyesit
Aliu tha se kjo gjendje duhet ndryshuar dhe shtoi se “bashkë do ta ndryshojmë”.
Kryetarë të disa komunave të Kosovës po protestojnë kundër Qeverisë për ndarjet buxhetore për komunat.














