Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, nuk e ka komentuar vendimi e Gjykatës Themelore të Prishtinës për lirimin e 11-ë të akuzuarve në rastin “Pronto”.
Në një prononcim për Gazetën Insajderi, Lumezi tha se nuk ka të drejtë t’i komentojë vendimet e gjykatës edhe nëse nuk pajtohet.
“Ne nuk i komentoj vendimet e Gjykatave edhe nëse nuk pajtohemi me ato, nuk kemi drejtë me i komentu, e vetmja mënyrë e komentimit të vendimeve të gjykatave është nëpërmjet të drejtës për ushtrimi të ankesës”, tha Lumezi për Insajderi.
Ndërsa, dikur ishte vet Lumezi i cili ndërhynte në hetime duke thënë se nuk ka prova të mjaftueshme në rastin “Pronto”.
“Edhe unë nuk jam pajtu me rastin e ‘Pronto’s, se kam thanë që ka prova vetëm për disa nga të akuzuarit, e jo për të gjithë të akuzuarit. Aktakuza ka shku shumë më përpara se me ndodhë takimi, e jo para se me shku aktakuza”, kishte deklaruar Lumezi në fillim të 2017-ës.
“Ai (Besim Beqaj) ka qenë i revoltuar edhe me mua edhe me sistemin që jena në mënyrë të padrejtë duke e bo edhe jena me qëllime të caktume duke e akuzuar atë pasi nuk ka asnjë provë që ai ka ndikuar në punësimin e njerëzve në rastin e PRONTO-s”.
Lumezi pati thënë se për rastin e njohur si “Pronto”, Prokuroria ka treguar vullnet ta zbardhë atë. Ai gjithashtu pati rikujtuar se hetimet paraprakisht ishin kryer nga EULEX-i.
“Ne kemi pasur guximin që të fillojmë hetimet dhe shumë persona që kanë qenë të përfshirë në rastin ‘Pronto’ janë në fazën e hetimeve… Unë besoj se hetimet do të tregojnë se a ka prova të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzës”, ka thënë ai para tri vjetësh./Insajderi.com